Pas disa muajsh në kërkim, Klejvis Metalla, 24-vjeç, u arrestua në Serbi pasi akuzohet për dhunë ndaj partneres së tij shtatzënë dhe vrasjen e foshnjës që ajo mbante në bark. 24-vjeçari ishte larguar nga Shqipëria përmes Pikës Kufitare të Bllatës në janar 2025, pas ngjarjes shokuese, dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.
Në mars 2025, Gjykata e Dibrës caktoi për të masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Klejvis Metalla kishte tentuar të bindte partneren e tij 23-vjeçare që të abortonte në muajin e pestë në një klinikë private në Fier, por ajo refuzoi dhe u largua për t’u mbrojtur.
Sipas rrëfimeve të saj, më 27 janar, Klejvis e mori bashkë me vëllain e saj të vogël në makinën e tij dhe e dërgoi jashtë qytetit në vendin e quajtur “Gurët e Skënderbeut”, ku e goditi në bark dhe në trup. Pas dhunës, ai i mori celularin dhe u largua drejt Peshkopisë. Një kalimtar e shoqëroi vajzën në Komisariatin e Bulqizës, ndërsa vëllain e saj e çoi në shtëpi.
Vajza mbërriti në polici me fraktura dhe gjak, por denoncimi nuk u mor, pasi i thanë se duhet të shkonte në Tiranë, ku jetonte i dyshuari. Më pas, ajo u trajtua në spitalin e Peshkopisë, ku mjeku gjinekolog konstatoi se vdekja e foshnjës ishte shkaktuar nga trauma e dhunës.
Në një intervistë për emisionin investigativ “Stop”, vajza tregoi detajet e tmerrshme të ngjarjes, duke përshkruar momentet kur Klejvis e rrahu dhe mori vëllain e saj të vogël, ndërsa ajo mbante barkun dhe kërkonte ndihmë.
Në reagimin e tij për mediat, Klejvis Metalla mohoi përgjegjësinë dhe akuzoi vajzën për përdorim droge, duke refuzuar të pranojë ngjarjet e ndodhura.
Ky rast tronditi komunitetin dhe nxjerr në pah problemet e dhunës ndaj grave shtatzëna, ndërsa autoritetet e Serbisë dhe Shqipërisë po bashkëpunojnë për ekstradimin dhe hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.



