Një çift partnerësh shqiptar, të moshave 37 dhe 35 vjeç, janë arrestuar në Bolonjë me akuzën e trafikut të drogës, pasi policia zbuloi gjithsej 20 kilogramë marijuanë të fshehura në makinë, garazh dhe në banesën ku jetonin me qera.
Arrestimi ndodhi disa ditë më parë në parkingun e Penny Market, ku patrulla e njësive “Volanti” kontrolloi çiftin që ndodhej në makinë bashkë me vajzën e tyre 2-vjeçare. Vendimi për kontroll u mor për shkak të precedentëve penalë të 37-vjeçarit, ndërsa automjeti ishte regjistruar në emër të një 62-vjeçari, gjithashtu me të shkuar kriminale.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën nën sediljen e pasme – pikërisht nën ulësen e fëmijës – pesë pako marijuanë të futura në vakum, rreth 5 kg. Hetimet u zgjeruan menjëherë në një garazh në rrugën Lenin, të lidhur me 62-vjeçarin, dhe më pas në banesën e çiftit, ku jetonin bashkë me tre vajzat e tyre të mitura, 2, 5 dhe 7 vjeç.
Në të dy ambientet policia zbuloi sasinë tjetër të drogës: 15 kilogramë marijuanë, e shpërndarë mes dollapëve, kutive dhe madje edhe mbi tavolinë. Në total, u sekuestruan 20 kg.
Çifti, i mbrojtur nga avokati Cosimo Rina, u mor në pyetje nga gjyqtari hetues Claudio Paris. Për burrin, si pasojë e precedentëve dhe deklarimeve gjatë seancës, u caktua masa e paraburgimit. Ndërsa gruaja, e padënuar më parë, u la nën masën detyrim paraqitjeje në qytet, megjithëse prokuroria kishte kërkuar arrest shtëpie.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e shpërndarjes së drogës ku dyshohet se bënte pjesë çifti. Autoritetet po verifikojnë edhe rolin e 62-vjeçarit, i cili pak javë më parë ishte arrestuar me 13 kilogramë marijuanë.
https://www.ilrestodelcarlino.it/bologna/cronaca/mamma-e-papa-trafficanti-in-a403b0c3



