Kur planifikojnë itinerarin e tyre në një udhëtim drejt Shqipërisë, shumica e turistëve kanë në mendje të njëjtat vende: plazhet përrallore të Ksamilit, Tiranën – sigurisht, askush nuk largohet pa vizituar kryeqytetin –, Beratin dhe/ose Gjirokastrën, ndoshta edhe malet për ata që janë apasionuar pas sporteve dimërore. Por pothuajse askush nuk kujtohet për këtë cep bregdetar, i cili është po aq i bukur dhe i mbushur me magjinë e vet.
Nëse po udhëtoni përgjatë Rivierës Shqiptare, drejt Sarandës, sytë do t’ju ndalen domosdo tek një kala e vendosur në një ishull të vogël, e lidhur me tokën vetëm përmes një rripi artificial dheu. Pamja e ndërtesës së rrethuar nga ujërat ngjyrë smeraldi të kujton një version të miniaturë të Mont Saint-Michel, edhe pse shumë më e thjeshtë dhe diskrete. Ky është fshati bregdetar Porto Palermo dhe kala e Ali Pashës.
Historia e kalasë së Porto Palermos
E vendosur në rajonin e Vlorës, kjo kala nuk është mesjetare, edhe pse fasada prej guri mund t’i çojë mendimet drejt asaj periudhe. Fortesa u ndërtua në fillim të shekullit XIX me urdhër të guvernatorit osman të zonës.
Mendohet se struktura trekëndore me kulla rrethore është ngritur mbi një ndërtesë të vjetër veneciane. Planet e sotme që shohim në realitet janë hartuar nga një inxhinier ushtarak francez, i cili – sipas gojëdhënave – u ekzekutua menjëherë pas përfundimit të projektit, për të mos zbuluar dobësitë strategjike të fortesës.
Shumica e vizitorëve të Porto Palermos vlerësojnë panoramën mahnitëse të detit që shfaqet nga tarraca e kalasë, por, në të vërtetë, ajo që e bën këtë vend të veçantë – sipas shumicës së udhëtarëve – është liria me të cilën mund të eksplorosh ndërtesën, një tipar aq karakteristik për Shqipërinë dhe aq i rrallë për një turist të huaj.
Nuk ka barriera, as personel sigurie, e as shenja që të drejtojnë në ndonjë itinerar të caktuar. Pasi paguan biletën – me çmim simbolik – mund të ecësh lirshëm në çdo cep të kalasë, nga qelitë e nëndheshme deri në dhomat gjysmë të rrënuara. Një mundësi unike për t’u zhytur në historinë shqiptare dhe për të imagjinuar fortifikimin në periudhën e tij të lulëzimit.
Në brendësi gjenden tabela që tregojnë funksionin e secilës dhomë, si dhe panele informuese që ndihmojnë vizitorët të kuptojnë më mirë të shkuarën e këtij vendi. Kështu mësohet se cilat hapësira kanë shërbyer si kuzhinë, si ambiente fjetjeje për ushtarët apo si burg i errët ku, sipas burimeve historike, ka qenë e mbyllur edhe bashkëshortja e Ali Pashës.
Plazhi i Porto Palermos dhe si vizitohet
Një nga pikat më tërheqëse të Porto Palermos është lehtësia me të cilën mund të vizitohet. Nga rruga bregdetare, mjafton të merrni një devijim të thjeshtë që zbret drejt nivelit të detit. Aty, pranë plazhit, ka hapësirë të bollshme për të parkuar. Pas kësaj, vetëm një shëtitje e shkurtër ju ndan nga hyrja e kalasë.
Rripi i ngushtë i tokës që sot lidh ishullin me pjesën tjetër të territorit është shndërruar në një zonë ideale plazhi. Ashtu si në gjithë bregdetin shqiptar, edhe këtu uji është i pastër, turquoise dhe kristal si në gjiret më të fshehta të Mesdheut. Në këtë gjuhë rëre që të çon drejt kodrinës ku ngrihet kalaja, mund të shijoni qetësinë, të notoni dhe të eksploroni botën nënujore.

https://viajar.elperiodico.com/destinos/viaje-albania-porto-palermo-123386698



