Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross, me të cilët ka diskutuar zhvillimet e fundit në vend, sigurinë rajonale dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani u ka shprehur mirënjohje kongresistëve për bashkëpunimin gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane që SHBA-të vazhdimisht i kanë dhënë Kosovës.
“Kjo mbështetje ka qenë e pazëvendësueshme në periudhën që na solli lirinë, pavarësinë, shtetndërtimin dhe demokracinë. Asnjë nga këto arritje nuk do të kishte qenë e mundur pa përkrahjen amerikane”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ajo ka potencuar se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë dhe thellësisht e përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të lidhjes me SHBA-të. Osmani gjithashtu ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është “imperativ strategjik” për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë kontinentit evropian.
Presidentja ka vënë në dukje se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë shërbejnë krah për krah ushtarëve amerikanë në misione paqeruajtëse jashtë vendit, ndërsa Kosova ka rritur investimet në fushën e mbrojtjes në 2% të GDP-së, me synimin që ky nivel të dyfishohet në vitet e ardhshme.
Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve të rajonit, Osmani ka theksuar profesionalizmin e institucioneve të sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të pranisë së SHBA-ve në kuadër të KFOR-it, të cilën e ka cilësuar si garanci të paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe më gjerë.
Në bisedim, Presidentja ka folur edhe për presionin dhe aktet agresive të Serbisë ndër vite, duke rikujtuar sulmin terrorist në Banjskë.
“Edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrah terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, pasi autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, nuk janë dorëzuar para drejtësisë. Llogaridhënia për këtë akt dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e incidenteve të ngjashme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Takimi u vlerësua si një tjetër dëshmi e lidhjes së fortë dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, një partneritet që mbetet vendimtar për paqen, sigurinë dhe të ardhmen demokratike të vendit.



