Serbia do të mbajë paradën ushtarake të quajtur “Forca e Unitetit” më 20 shtator, ndërsa vendi përballet me protesta antiqeveritare dhe tensione politike në rajon.
Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se parada nuk lidhet me ngjarjet e ditës, por është një shenjë për të shënuar një festë kombëtare dhe për të treguar progresin e ushtrisë serbe. “Njerëzit të shohin se ku kemi investuar para dhe sa më e fortë është Serbia se dje. Të shohin se mund të ndihen të sigurt,” deklaroi Vuçiç.
Ai e përshkroi paradën si një mesazh kundër agresorëve dhe kritikoi opozitën për sulmet ndaj ushtrisë serbe, duke e cilësuar retorikën e tyre si “histeri anti-serbe”.
Parada ushtarake vjen në një periudhë të tensionuar në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të refuzimit të Republikës Sërpska për të pranuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të hequr mandatin presidentit të entitetit serb, Millorad Dodik. Kritikat e opozitës serbe e shohin këtë paradë si një demonstrim force në një kohë polarizimi të madh shoqëror.



