Më 20 shtator 2025, qyteti i Astit do të veshë ngjyrat kuq e zi për të pritur një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të komunitetit shqiptar në Itali: paradën dhe festivalin “Rrënjët e Zemrës”, organizuar nga AssoAlbania Piemonte.
Ashtu si çdo vit, festa synon të bashkojë shqiptarët nga e gjithë Italia, Evropa dhe më gjerë, duke i dhënë një zë të fuqishëm kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar.
Parada do të nisë në orën 15:30 nga Piazza Roma, për të kaluar nëpër rrugët kryesore të qytetit – Piazza Alfieri dhe Piazza Primo Maggio – dhe do të përfundojë në parkimin Way Assauto, ku do të mbahet koncerti dhe spektakli i madh artistik.
Në këtë skenë do të ngjiten grupe folklorike dhe artistë shqiptarë, duke sjellë vallëzime, këngë dhe muzikë tradicionale. Atmosfera do të gjallërohet nga tupanat, gërneta, çiftelia dhe fizarmonikët, që do të udhëheqin ritmin e festës. Programi i mbrëmjes do të kulmojë me performancat e artistëve të njohur si Renato Jaho, Mustafa Mehja dhe DJ Beni 006, të cilët do të ndezin publikun me energjinë e tyre.
Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të vishen me kostume popullore shqiptare ose me ngjyrat kombëtare kuq e zi, duke e shndërruar festën në një mozaik kulturor dhe simbol të bashkimit.
“Në datën 20 shtator 2025, në Asti, organizohet përsëri si çdo vit parada dhe festa e madhe shqiptare me titull ‘Rrënjët e Zemrës’. Ju ftojmë të gjithëve së bashku ta kalojmë gëzueshëm, plot këngë e valle, të veshur kuq e zi ose me rrobat karakteristike të krahinës suaj. Nëse keni grup artistësh që kanë dëshirë të performojnë art shqiptar në skenën tonë, na njoftoni sa më parë që t’ju shtojmë në program, gjithsesi brenda datës 13 shtator. Do të jetë një ditë që ju, fëmijët tuaj dhe miqtë tuaj do ta mbani gjatë në kujtesë, sepse do të jeni krahë për krahë me vëllezër e motra nga të gjithë anët e Italisë e të botës, nën tingujt e tupanave, gërnetës, çiftelisë, fizarmonikave. Pjesëmarrja në këtë festë të madhe na nderon ne edhe ju, por mbi të gjitha nderon dheun amë, Shqipërinë. Le të jenë flamujt tanë një rreze drite për të gjithë ne së bashku. Ju presim me krahë hapur”, thuhet në njoftim.
Ky event është një rast i veçantë për të forcuar lidhjet mes brezave të shqiptarëve në mërgatë dhe për të promovuar kulturën shqiptare në arenën ndërkombëtare. “Rrënjët e Zemrës” është më shumë se një festë – është një manifestim i krenarisë kombëtare dhe një mesazh uniteti që tejkalon kufijtë.
Data: 20 shtator 2025
Nisja: Piazza Roma, ora 15:30
Përfundimi dhe spektakli: Parkimi Way Assauto, Asti




