Një deklaratë tronditëse ka ardhur nga Nigel Farage, i njohur si “babai i Brexit” dhe tashmë lider i partisë Reforma në Britani. Ai ka premtuar se nëse vjen në pushtet pas katër vitesh, do të arrestojë dhe deportojë rreth 600 mijë azilantë drejt vendeve të origjinës, kryesisht ata që mbërrijnë me gomone nga La Manshi.
Farage, i njohur për retorikën e tij populiste, akuzohet se me premtime dhe gjysmë të vërteta e bindi opinionin publik për Brexit, duke çuar Britaninë në një situatë të vështirë për menaxhimin e krizës së emigracionit. Pas daljes nga BE, Londra nuk mund të zbatojë më Konventën e Dublinit, që i lejonte të kthente azilkërkuesit në vendin e parë të sigurt ku aplikonin për azil.
Kjo ka bërë që mijëra emigrantë çdo muaj të strehohen në hotele në Britani, ndërsa qytetarët shprehin zemërimin ndaj qeverisë për dështimin në menaxhimin e situatës. Sipas një sondazhi të fundit të The Times, 71% e britanikëve mendojnë se kryeministri Keir Starmer nuk po e zgjidh siç duhet krizën e emigracionit, ndërsa partia e Farage kryeson aktualisht me 22 pikë përpara laburistëve.
Planet e Farage, të cilat kritikët i quajnë “politika të shkruara në një paketë cigaresh”, parashikojnë 2 miliardë paund për deportime, por pa asnjë shpjegim konkret se si do të bindë vendet e origjinës, si Afganistani, Eritrea apo Irani, që të pranojnë kthimin e azilkërkuesve. Në listën e vendeve të përfolura për marrëveshje është përmendur edhe Shqipëria, por autoritetet shqiptare kanë deklaruar disa herë se nuk do të pranojnë të bëhen strehë për emigrantët që nuk i duan vendet më të pasura të Perëndimit.
Ekspertët thonë se Britania po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për emigrantët edhe për shkak të klimës më të ngrohtë nga ndryshimet klimatike, gjë që ka shtuar kalimet me gomone. Por frenimi i tyre kërkon masa drastike, deri edhe me përdorimin e anijeve ushtarake, diçka e paimagjinueshme mes dy vendeve të NATO-s, si Franca dhe Britania.
Deri atëherë, Farage do të mbetet një figurë kërcënuese për establishmentin politik britanik, duke ushqyer populizmin me të njëjtën strategji që e çoi në suksesin e Brexit.



