Partia ‘Reform UK’, e drejtuar nga Nigel Farage ka shpallur një plan të ashpër për trajtimin e azilkërkuesve që mbërrijnë në Britani me gomone, duke premtuar dëbime masive dhe ndalime të menjëhershme.
Në një intervistë për “The Times”, Farage tha se Britania po përballet me një “krizë të madhe”, e cila, sipas tij, kërcënon sigurinë kombëtare dhe rrezikon të çojë në trazira publike.
Sipas planit, emigrantët që mbërrijnë do të arrestohen menjëherë dhe do të ndalohen në baza të vjetra ushtarake të RAF-it. Më pas, nëse arrihen marrëveshje bilaterale, ata do të riatdhesohen në vende si Afganistani, Eritrea apo shtete të tjera prej nga ku vijnë shumica e azilkërkuesve. Një opsion rezervë është edhe dërgimi i tyre në territore britanike jashtë detit, si ishulli Ascension, apo në vende të treta si Ruanda dhe Shqipëria.
Farage deklaroi se projektligji për Migracionin e Paligjshëm (Dëbime Masive) do të kushtojë rreth 10 miliardë paund në pesë vjet, por, sipas tij, do t’i kursejë qeverisë miliarda shpenzime që aktualisht përdoren për strehimin e emigrantëve në hotele.
Ndërkohë, planet e Farage janë pritur me reagime të forta politike. Laburistët i quajtën ato “ëndrra në diell”, ndërsa konservatorët akuzuan ‘Reform UK’ se po riciklon idetë e tyre të mëparshme, përfshirë edhe skemën e dështuar me Ruandën.
Farage gjithashtu theksoi se Britania duhet të dalë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), e cila shpesh është përdorur për të ndaluar dëbimin e emigrantëve të paligjshëm.
“Qëllimi i këtij ligji është i qartë: dëbimi masiv. Vetëm kështu mund të ndalojmë ardhjet e paligjshme”, tha Farage, duke shtuar se kriza e migracionit “nuk është vetëm një kërcënim për sigurinë kombëtare, por edhe një burim zemërimi publik që nuk është larg nga trazirat”.



