Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar ashpër pas thirrjeve raciste dhe fashiste që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar fundjavën e kaluar në qytetin e Kumanovës.
Në një postim në Facebook, ajo ka shprehur keqardhjen e thellë për incidentin, duke theksuar se këto veprime nuk goditën vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët e vendit.
“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar,” shkroi presidentja.
Siljanovska Davkova theksoi se Maqedonia e Veriut nuk do të lejojë më që arenat sportive të kthehen në “arena tifozësh gladiatorësh”, dhe se është koha për të reflektuar mbi kulturën sportive dhe edukimin qytetar.
Ajo vuri në dukje se mësimi i parë për mënyrën si brohoritet mësohet fillimisht në shtëpi dhe më pas në shkollë. “Shteti duhet t’u kundërvihet urrejtjes së tifozëve dhe të mësojë se si të brohoritet,” shtoi presidentja, duke propozuar “një alfabet të brohoritjes si kënaqësi sportive”.
Incidenti në Kumanovë u shënua nga thirrje skandaloze si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”, slogane që u dëgjuan në prani të kryeministrit maqedonas dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë.
Reagimi i presidentes maqedonase është ndër të paktët nga nivelet më të larta të shtetit, në një kohë kur reagimet institucionale kanë munguar apo janë konsideruar të vakëta përballë një akti të rëndë të urrejtjes etnike.



