Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim pune mbrëmjen e së premtes me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker, në një darkë zyrtare të organizuar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati.
Në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kryeministri Kurti informoi zyrtarin e lartë amerikan për zhvillimet e fundit në vend, përparimin institucional, si dhe për investimet në sektorin e mbrojtjes.
Ai shprehu vlerësimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të kanë ofruar ndaj shtetit të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e cilësuar këtë mbështetje si jetike për forcimin e sigurisë dhe paqes në rajon.
Kurti theksoi gjithashtu gatishmërinë e Kosovës për të fuqizuar më tej raportet me SHBA-në, jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në industrinë e mbrojtjes, duke përmendur rëndësinë e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të ndërsjella. Ai theksoi se rritja e bashkëpunimit në këtë sektor paraqet një mundësi për zhvillim dhe stabilitet të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor.
Takimi me David Baker përforcon angazhimin e Kosovës për të avancuar drejt integrimit euroatlantik dhe për të qenë një partnere aktive në ruajtjen e sigurisë në rajon.



