Një shqiptar 23-vjeçar i arrestuar dhe i dënuar në Zvicër, arriti të arratisej javën e kaluar gjatë një transporti të të burgosurve në kantonin Baden. Por ndryshe nga çfarë mund të pritet, ky akt nuk sjell ndëshkim shtesë – të paktën jo nëse është bërë pa dhunë apo dëmtime.
Sipas autoriteteve të policisë kantonale të Aargaut, i riu u kap pak ditë më vonë, por nuk janë identifikuar shkelje ligjore të tjera të lidhura me arratisjen. Kjo për shkak se në Zvicër, arratisja nga burgu vetë nuk konsiderohet vepër penale.
Profesor Marc Jean-Richard nga Universiteti i Zyrihut e shpjegon këtë me një nga parimet themelore të së drejtës penale: “vetë-favorizimi nuk është i dënueshëm”. Me fjalë të tjera, dëshira e një të burgosuri për të rifituar lirinë e tij nuk konsiderohet krim – për aq kohë sa nuk përdoret dhunë, nuk dëmtohet asgjë dhe nuk përfshihen persona të tretë në ndihmë të arratisjes.
Ky “parim i vetë-favorizimit” mbështetet në të drejtën që çdo person ka për të mos e ngarkuar veten me faj. I njohur si “Nemo tenetur se ipsum accusare”, ai nënvizon respektimin e instinktit njerëzor për liri dhe të drejtave themelore.
Megjithatë, në rastet kur një arratisje shoqërohet me dhunë, kërcënim, shkatërrim prone apo ndihmë nga persona të tjerë, atëherë situata ndryshon – ato rrethana mund të përbëjnë vepra të dënueshme.
Ky parim nuk zbatohet vetëm në Zvicër. Gjermania, Austria, Belgjika, Holanda, Suedia dhe Meksika ndjekin të njëjtën linjë ligjore, me disa dallime në trajtimin e ndihmës për arratisje apo efektet mbi lirimin me kusht.
Krejt ndryshe qëndron situata në Shtetet e Bashkuara, ku arratisja konsiderohet krim më vete, pavarësisht mënyrës së kryerjes, dhe mund të dënohet deri me pesë vite burg shtesë – e njëjta gjë vlen edhe për personat që ndihmojnë në arratisje.
Rasti i shqiptarit në Zvicër ka nxitur debat publik mbi qasjet e ndryshme ligjore që shtetet kanë ndaj lirisë, burgimit dhe të drejtës për të kërkuar shpëtim.



