Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar krizën e thellë politike në vend. Ai theksoi se partia e tij ka kontribuar për të zhbllokuar situatën duke ofruar ndihmë pa kushte politike, por përballë ka gjetur bllokadë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mënyrën e menaxhimit të procesit nga kryesuesi Avni Dehari.
“Ne kemi ardhë çdoherë me shpresë që do kemi një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng situatën. I kemi jep ndihmë pa asnjë kalkulim politik, për një kandidatë përbashkues, për ta kthyer votimin e hapur. Por siç po shihet, është një situatë e rëndë me Deharin, që po e menaxhon shumë keq situatën, me nervozë që nuk dihet nga buron,” deklaroi Haradinaj.
Ai vlerësoi se parlamenti nuk duhet të funksionojë me nervozizëm e ashpërsi, duke theksuar nevojën për tolerancë e bashkëpunim.
Në lidhje me masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, që ndalon mbajtjen e seancës konstituive nga 27 korriku deri më 8 gusht, Haradinaj tha se kjo kohë duhet të shfrytëzohet për të pritur një vendim sqarues dhe për të evituar zgjedhjet e reja.
“Zgjedhjet janë zgjidhja e fundit. Ne nuk mendojmë se duhet të nxitohet për to pa i shteruar të gjitha mundësitë për të formuar institucionet. Sepse zgjedhjet mund të na fusin në një tjetër ngërç. Jemi të gatshëm për to, por nuk i kërkojmë. Ne kemi marrë mandatin nga qytetari dhe duhet ta zbatojmë me përgjegjësi,” tha ai.
Ai ishte kritik ndaj Kurtit, duke thënë se bllokada po shkaktohet pikërisht nga partia e parë.
“Mos harroni, jemi peng të Kurtit. Nëse ai ka vendosur ta çojë vendin drejt degradimit, atëherë është përgjegjësia e tij. Zgjedhjet e tjera nuk janë shenjë e përparimit të demokracisë, por dëshpërim për të,” u shpreh ai.
Haradinaj tha se AAK ka qenë e hapur për të ndihmuar në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke ofruar emra për të cilët partia e tij do të votonte, si përpjekje për të tejkaluar bllokadën.
Në fund, ai theksoi se shpreson që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim të ri pas përfundimit të afatit të masës së përkohshme, çka do të ndihmonte në sqarimin përfundimtar të situatës.



