Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka zhvilluar takime të ndara në Beograd me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, ku temë qendrore ishte arrestimi i Igor Popoviqit në Kosovë. Popoviq, ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, u ndalua më 18 korrik pas deklaratës publike ku e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste”.
Autoritetet e Kosovës kanë ngritur ndaj tij dyshime për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa një gjykatë ka vendosur masën e paraburgimit njëmujor.
Gjuriq e cilësoi arrestimin si “të pabazë dhe të paligjshëm”, duke e konsideruar si “ndjekje politike dhe pjesë e një fushate frikësimi ndaj popullit serb në Kosovë”. Ai tha se Serbia nuk sheh mundësi për vazhdimin e dialogut me Kosovën në këto rrethana dhe se Beogradi pret mbështetje të qartë nga partnerët ndërkombëtarë për lirimin e menjëhershëm të Popoviqit.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë reaguar me ashpërsi ndaj qëndrimeve serbe. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar si kërcënim deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili paralajmëroi “pasoja të paparashikueshme” ndaj Kosovës. Kurti i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë me vendosmëri kundër deklaratave të Vuçiqit, duke paralajmëruar rrezikun e destabilizimit të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Kosova nuk do të tolerojë fyerje ndaj historisë dhe luftës së UÇK-së. Ai theksoi se deklaratat si ato të Popoviqit janë të papranueshme dhe se drejtësia do të veprojë sipas ligjit.
Lufta e Kosovës më 1998-1999, e udhëhequr nga UÇK-ja kundër sundimit serb, ka lënë mbi 13.000 civilë të vrarë dhe mijëra të zhdukur. Edhe sot, rreth 1.600 persona, shumica shqiptarë, ende rezultojnë të pagjetur. Kurti gjatë konferencës së fundit ka kujtuar se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, duke e quajtur këtë një pengesë të madhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Serbia vazhdon të mbështetet në aleatët e saj tradicionalë, Rusinë dhe Kinën, për të kundërshtuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet i bllokuar në një situatë gjithnjë e më të tensionuar.



