Tentativa e 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa sukses, duke thelluar ngërçin institucional që po zvarritet prej muajsh. Seanca e sotme u ndërpre përpara se të hidhej në votim çështja e konstituimit, për shkak të një përplasjeje të ashpër mes kryesuesit të seancës, Avni Dehari, dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.
Gjatë fjalës së saj, Musliu u ndërpre nga Dehari, i cili kërkoi ndërhyrjen e regjisë për t’i ndërprerë mikrofonin, duke u thirrur në rregulloren e Kuvendit që nuk lejon debat në këtë fazë të procesit. Musliu reagoi menjëherë, duke ia marrë mikrofonin Deharit dhe duke këmbëngulur që të mos i ndërpritej fjala.
Përplasja verbale detyroi Deharin të mbyllë seancën, duke deklaruar se “nuk ka kushte për vazhdim”. Ai bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet të premten, në orën 11:00.
Ndërkohë, në sfondin e kësaj krize, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim rreth pasojave ligjore nëse Kuvendi i ri nuk arrin të konstituohet brenda afatit 30-ditor, i cili skadon pas tri ditësh. Sipas Kushtetutës, tejkalimi i këtij afati mund të sjellë implikime serioze për vazhdimin e procesit demokratik në vend.



