Një zjarr i madh vazhdon të përhapet jashtë kontrollit në ishullin grek të Kretës, duke detyruar evakuimin e qindra njerëzve. Flakët shpërthyen të mërkurën pasdite në një zonë pyjore pranë komunës së Ierapetrës dhe u përhapën shpejt nga erërat e forta, duke kërcënuar shtëpitë, akomodimet turistike dhe infrastrukturën kritike, përfshirë një stacion karburanti.
Sipas shërbimeve të emergjencës, zjarri përfshin një sipërfaqe prej së paku 6 kilometrash dhe krijon tym të dendur që ul dukshmërinë në disa zona në pothuajse zero. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin masiv të banorëve dhe turistëve nga Ferma, si dhe të hoteleve dhe pronave me qira në zonat e prekura.
Deri tani janë evakuuar rreth 1,500 persona, të cilët janë dërguar në Ierapetra, ku afër 200 prej tyre janë strehuar në arenën sportive të qytetit. Situata mbetet kritike, pasi flakët i afrohen edhe plazhit Makry Gialos dhe rruga kryesore pranë Agia Fotia është mbyllur për shkak të rrezikut.
Në Agia Fotia janë shkatërruar disa shtëpi dhe prona me qira, ndërsa ka ndërprerje të energjisë elektrike. Katër të moshuar janë dërguar në spital për shkak të problemeve të frymëmarrjes nga tymi. Të gjitha spitalet në Kretë janë vënë në gatishmëri.
Në terren po veprojnë 155 zjarrfikës me 38 automjete dhe tetë ekipe këmbësore, të cilët janë mbështetur edhe nga katër helikopterë që hedhin ujë mbi flakë. Forca shtesë po vijnë me traget dhe avion nga kontinentin grek për të përforcuar luftën kundër zjarrit.
Shërbimi zjarrfikës ka urdhëruar tërheqje taktike për të mbrojtur personelin dhe përqendrim në krijimin e zonave për shuarjen e flakëve pranë vendbanimeve në rrezik. Operacioni pritet të vazhdojë gjatë natës.
Sistemi i paralajmërimit publik 112 ka lëshuar alarme emergjente për evakuime në zonat Achlia, Ferma, Agia Fotia, Galini dhe Koutsounari, me thirrje për lëvizje drejt Ierapetrës. Disa persona të izoluar janë evakuuar me varka nga plazhet lokale.
Zjarri besohet të ketë filluar mes Agia Fotia dhe Skinokapsalas, duke djegur pyjet e dendura në terren të pjerrët dhe me kushte të thata që e bëjnë të vështirë shuarjen.
Kjo situatë vjen në një valë të nxehti që ka goditur Evropën, ku më shumë se 50,000 persona janë evakuuar këtë javë në Turqi për shkak të zjarreve, ndërsa të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën në vende të ndryshme të kontinentit për shkak të temperaturave ekstreme.