Pas dështimit të 41-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi se PDK do të depozitojë sot një ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese për, siç tha, shkeljet e qëllimshme të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë tri seancave të fundit konstituive.
“Sot Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë një rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën shpresojmë se do të veprojë me urgjencën e nevojshme, pasi na kanë mbetur vetëm 23 ditë deri në përmbylljen e afatit për konstituimin e Kuvendit,” tha Krasniqi në një prononcim për media.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka uzurpuar institucionet e vendit dhe ka penguar qëllimisht procesin konstituiv. “Tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje të qëllimshme dhe me vetëdije, me instruksione të partisë së tij. S’mund të qëndrojmë duarkryq,” tha Krasniqi.
Në votimin për Komisionin për votim të fshehtë, 54 nga 99 deputetë në sallë votuan pro, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime. Megjithatë, mungesa e kuorumit e pamundësoi përfundimin e procesit të konstituimit.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese obligon Kuvendin të konstituohet brenda 30 ditëve nga mbledhja e parë, por partitë nuk kanë arritur marrëveshje që nga publikimi i vendimit më 26 qershor.
Krasniqi komentoi edhe deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili akuzoi PDK-në për vizita politike ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së në Hagë. “Është e dhimbshme që ai vazhdon të jetë argat i Prokurorisë me deklarata të tilla që e dëmtojnë drejtpërdrejtë pozitën e tij,” tha Krasniqi.
Ai shtoi se “kompleksi i Kurtit në raport me UÇK-në është i njohur, duke theksuar se Kurti asnjëherë nuk ka vizituar ish-ushtarët në Hagë dhe bashkë me Albulena Haxhiun ka zvogëluar fondet për mbrojtjen.”
Kriza politike vazhdon të mbajë Kosovën në bllokadë, ndërsa afati ligjor për konstituimin e Kuvendit po afrohet rrezikshëm.