Më 2 korrik të vitit 1990, mijëra shqiptarë hynë në territorin e ambasadave të huaja që funksiononin në atë kohë në Shqipëri, në kërkim të lirisë së munguar prej 5 dekadash.
Brenda pak ditëve në oborret e ambasadave të Gjermanisë, Francës, Italisë e të Greqisë, u futën rreth 5.000 refugjatë shqiptarë që kërkonin azil politik. Edhe pse nuk e dinin se ku do të përfundonin, shqiptarët kapërcyen muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në perëndim. Shqiptarët e parë në atë dy korrik shkuan në ambasadën greke, të tjerë në ambasadën franceze, italiane e egjiptiane. Momenti më i bujshëm i atij 2 korriku ishte veprimi i Ylli Bodinakut, i cili çau me kamion murin e ambasadës gjermane. Më 1 korrik, një shofer i parkut të mallrave i quajtur Ylli Bodinaku, bashkë me familjen dhe miqtë e tij kishte vendosur të thyente me makinën e tij saurrel murin e ambasadës gjermane.
Lajmi për thyerjen e ambasadës gjermane provokoi mijëra të rinj, të cilët qëndronin në zonat përreth për të hyrë në selitë diplomatike. Aty ndodhi edhe përleshja e parë me forcat e rendit, një përleshje që ndodhte për herë të parë që nga kryengritja e Postribës. Në pamundësi për t’i zmbrapsur, policia nisi t’i qëllonte dhe për pasojë humbi jetën një djalë 17-vjeçar dhe 6 të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Në orën 23:15 të datës 2 korrik ndodhi një prej akteve më të çuditshme, që mbeti për shumë kohë në hije. Një akt spontan që do të përshpejtonte atë që do të ndodhte 24 orë më vonë. Mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria u nisën drejt ambasadave. 6 korriku ishte mëngjesi më tronditës i atij fundshekulli për shqiptarët. Askush nuk dite se ç’po ndodhte. Atë pasdite zhvillohet plenumi i PPSH dhe të gjithë dëgjonin ç’po ndodhte nëpër radio. Partia e Punës së Shqipërisë kishte vendosur të merrte masa të forta. Më 6 korrik, Shqipëria ishte shndërruar në lajm botëror.
Situata në ambasada u bë tragjike. 5000 vetë qëndronin në qiell të hapur dhe uji qe ndërprerë. Nisja e refugjatëve nga ambasadat u vendos në natën mes 12 dhe 13 korrikut. Në portin e Durrësit, 4 tragete gjigande prisnin të mbusheshin. Ai ishte largimi më masiv dhe më i dhimbshëm që Shqipëria kishte njohur. Pas largimeve masive, regjimi komunist nuk rezistoi më gjatë. 5 muaj më vonë, pas protestave të dhjetorit, Ramiz Alia u detyrua të deklarojë pluralizmin politik, pas një dominimi 48-vjeçar të komunizmit.
NEGOCIATAT
Regjimi komunist u përpoq fillimisht të izolonte dhe të ndalonte hyrjen e mëtejshme të njerëzve në ambasada, por situata u bë e paqëndrueshme. Pas disa javësh tensioni, qeveria u detyrua të negocionte me vendet perëndimore për të lejuar që ata që ishin strehuar në ambasada të largoheshin nga vendi. Më shumë se 4,000 njerëz u lejuan të shkonin në Itali, ndërsa të tjerët u dërguan në vende të ndryshme të Evropës. Me ndërhyrjen e diplomatëve dhe pas disa ditë negociatash edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, diktatura komuniste u dorëzua dhe lejoi largimin e qytetarëve shqiptarë drejt vendeve në ambasadat e të cilave ata kishin kërkuar strehim politik.
5 muaj më vonë, në 8 dhjetorin e vitit 1990 do të ishin studentët ata që do të ngriheshin në protesta duke rrëzuar pas më shumë se 4 dekadash diktaturën komuniste. Kjo ngjarje është konsideruar si rënia e “Murit të Berlinit” në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore dhe lejimin e pluralizmit politik. Në këtë 35-vjetor të hyrjes së shqiptarëve në territorin e ambasadave të huaja, ambasada gjermane në Tiranë, publikoi online një ekspozitë digjitale me imazhe nga kjo periudhë. Në ambasadën gjermane kërkuan strehim më shumë se 3200 persona ndërkohë azilkërkuesit në total arrinin në 5000 vetë. Ishte koha kur Tirana po jetonte një prej muajve më të nxehtë të historisë së Shqipërisë, të një Shqipërie të rrënuar ekonomikisht, thuajse në falimentim. Europa Lindore sapo kishte dalë nga dominimi gjysmë shekullor komunist. Valesa dhe Havel ishin bërë presidentë të Polonisë dhe Çekosllovakisë.
Muri i Berlinit kishte rënë dhe Gjermania pritej të bashkohej. Nikolai Çaushesku, diktatori i vetëm që tentoi të rezistonte u pushkatua nga një togë e ushtrisë në oborrin e një shkolle, në një lokalitet të humbur të Rumanisë. Shqipëria ishte vendi i fundit që rezistonte. Edhe shefi i qeverisë së asaj kohe, Ramiz Alia, e dinte se drejtues të qeverisë së tij nuk vlenin më për asgjë. Historia nis më 2 korrik 1990. Pas vrasjeve në kufi, ambasadat e huaja ishin targeti kryesor i të rinjve që kërkonin të shpëtonin nga izolimi. Europa Lindore sapo kishte dalë nga dominimi gjysmë shekullor komunist. Valesa dhe Havel ishin bërë presidentë të Polonisë dhe Çekosllovakisë. Muri i Berlinit kishte rënë dhe Gjermania pritej të bashkohej.
URDHRI
Në historinë që parapriu 2 korrikun ka edhe një moment tjetër. Ai është lejimi i familjes Popa që të largohej nga Shqipëria pas 4 vitesh qëndrim në ambasadën italiane. Mbërritja e tyre e bujshme në Itali dhe komentet e shtypit të huaj e interpretuan këtë si momentin e parë të hapjes. Kjo shtyu shumë të rinj të drejtoheshin në ambasadat e huaja. Aventura qëndronte vetëm tek hyrja në to, pjesa tjetër kishte marrë një zgjidhje. Duke mos dashur të krijonte më probleme, pa dashur, regjimi komunist kishte krijuar një precedent. Gafa e detyruar, mesa duket u kuptua shpejt. Më 3 maj 1990, me urdhrin sekret 499, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Simon Stefani, i kërkonte policisë së Tiranës fuqizimin e shërbimit për sigurimin fizik të përfaqësive të huaja në Tiranë. Urdhri u modifikua edhe 5 herë të tjera, deri në datën 2 korrik 1990 dhe në përfundim të tij thuhej se personeli i policisë së Tiranës ishte i pamjaftueshëm për të mbrojtur fizikisht selitë e ambasadave.
Në fund të muajit qershor, në pamundësi për ta ndaluar me metoda policore, regjimi komunist ndryshon strategji. Diplomatët e huaj në Tiranë thirren dhe iu kërkohet të dorëzojnë personat e strehuar. Më 22 qershor, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë qenë takuar në rezidencën e ambasadorit italian dhe kishin vendosur të mbronin çdo qytetar që do të hynte në selitë e tyre. 2 korriku i vitit 1990 ishte një ngjarje që shënjoi vrasje e frikës së shqiptarëve ndaj diktaturës komuniste. 2 korriku ka mbetur në histori si dita kur ambasadat; ajo gjermane, franceze, italiane dhe greke, do të bëheshin streha e parë e lirisë për një popull të izoluar për 45 vite me radhë. Hyrja në ambasada për shqiptarët ishte shenja e parë e lëvizjes antikomuniste të vitit 1990. Në një Shqipëri të varfër e të rrënuar ekonomikisht, njerëzit shkuan drejt dyerve të ambasadave në Tiranë të cilat iu hapën atyre portën drejt lirisë së munguar.
Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara dhe më të varfra në Evropë gjatë viteve të regjimit komunist. Qeveria e Ramiz Alisë, pasuesi i Hoxhës, po përballej me një krizë të thellë ekonomike dhe një mungesë të madhe të lirisë. Me rënien e regjimeve komuniste në Evropën Lindore, shqiptarët u frymëzuan për të kërkuar ndryshim dhe largim nga vendi i tyre. Ata që hynë në ambasada e shihnin këtë si një mundësi për të shpëtuar nga shtypja e qeverisë dhe për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit. Ky ishte një akt i guximshëm dhe një shprehje e dëshpërimit të popullit shqiptar, i cili kërkonte një rrugëdalje nga izolimi i rreptë që kishte karakterizuar vendin për dekada.
DOKUMENTI
Dokumenti i hartuar nga Qemal Lame, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, i është dërguar Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai, i cili ishte njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Brendshme. Në këtë dokument bëhet një përshkrim i ngjarjeve orë pas ore, përmenden të gjitha incidentet te ambasadat, thyerjet e mureve të tyre me kamionë, përplasjet me policinë, të plagosurit, incidentet me punonjësit e Ambasadës Gjermane etj.
Informacion i kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame, dërguar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai
Tepër sekret
Ekzemplar Nr. 2 Tiranë, më 3.7.1990
LËNDA: Për ngjarjen e ndodhur në territorin e ambasadave.
Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, shokut Hekuran Isai – Tiranë
Më datën 2.7.1990 pati një intensifikim të hyrjes me dhunë në territorin e disa ambasadave të akredituara në vendin tonë. Në orën 10:30 hyjnë 6 persona në Ambasadën Italiane me një makinë tip “Tatra”, duke shqyer murin rrethues, kangjellat.
Në orën 19:00, 34 persona hyjnë në Ambasadën e FR Gjermane me një makinë “Skoda”, duke shpërthyer murin nga ana e prapme e ambasadës. Në orën 21:00 një makinë “Skoda” e mbushur me njerëz ka hyrë në Ambasadën Greke duke shpërthyer murin anësor.
Pas këtij veprimi kanë hyrë edhe persona të tjerë në Ambasadën Greke, polake, çeke, gjermane etj., numri i të cilëve nuk është arritur të evidentohet. Në orët e pasdites është shtuar qarkullimi i njerëzve në rrugën e Durrësit dhe të Kavajës, si dhe në rrugën mbrapa ambasadave. Edhe diplomatët e huaj kanë shpeshtuar lëvizjet e tyre në këmbë dhe janë takuar me persona të ndryshëm. Një punonjës i Ambasadës Gjermane në mënyrë të hapur është takuar me persona të ndryshëm në disa vende.
Pas orës 19:00 janë shtuar në mënyrë të dukshme lëvizjet e njerëzve në territorin e ambasadave. Grumbullime të mëdha ka pasur sidomos në rrugën nga Ambasada Turke deri tek “21 Dhjetori”. Me hyrjen e makinës së dytë në Ambasadën Greke, u grumbulluan shumë persona pranë territorit të Ambasadës Greke dhe gjermane. Në këtë kohë organet e policisë kanë qëlluar me pistoletë për të mbrojtur rendin. Vërtetohet se dy punonjës të Ambasadës Gjermane i janë afrua policit Hysen Rama dhe njëri prej tyre ka qëlluar policin në dorë, duke i shkaktuar frakturë dhe duke i marrë pistoletën. Polici është qëlluar në befasi dhe nuk ka mundur të kundërveprojë.
Pasi është qëlluar nga policia, grupi i personave është larguar dhe janë mbledhur në rrugën e Kavajës. Mund të kenë qenë mbi 5000 veta në këtë zonë. Ata filluan të bërtisnin, të bëjnë thirrje armiqësore kundër pushtetit popullor, kanë goditur me gurë punonjësit e policisë dhe kuadro të ndryshme të Partisë dhe pushtetit, që kishin vajtur për të normalizuar gjendjen. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 23:00. Me ndërhyrjen e forcave të policisë gjendja u normalizua.
Organet e policisë ndaluan 76 persona. Me ta po vazhdohen hetimet për të sqaruar dhe vërtetuar përgjegjësinë e tyre për veprën penale të agjitacionit e propagandës për përmbysjen e pushtetit popullor të vendosur me Kushtetutë. Nga këta persona ka prej tyre që kanë marrë pjesë në veprimtarinë armiqësore si dhe nga ata që janë marrë mbasi janë kontrolluar autobusët e linjës Tiranë-Kombinat, për të cilët nuk është përcaktuar akoma pjesëmarrja e tyre në demonstratë. Në bashkëpunim me organet e punëve të brendshme po saktësojmë pjesëmarrjen e personave në veprimet demonstrative dhe goditjen e punonjësve të policisë.
Nga hetimi dhe verifikimi në spitalin civil, del se janë plagosur 6 persona për të cilët po punohet për t’i identifikuar. Një person tjetër, Altin Përparim Barka, vjeç 17, banues në rajonin e Kombinatit të Tekstileve, është plagosur me armë zjarri në pjesën e barkut. Dy punonjës të Ambasadës së RF të Gjermane thonë se ai është plagosur nga një polic në territorin e ambasadës dhe se e kanë sjellë në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore, duke organizuar dhe ruajtjen e tij në pavijon. Ai është operuar dhe ndodhet në reanimacion.
Ata e trajtojnë si emigrant politik dhe kërkojnë të mos takohet njeri më të. Personat e hyrë në ambasada janë kryesisht të moshave të reja dhe përgjithësisht me personalitet të keq, të dënuar për vjedhje, grabitje e vrasje etj. Edhe personat e grumbulluar pranë territorit të ambasadave janë të njohur në përgjithësi për sjellje rrugaçërie e të dënuar më parë. Po hetohet për të zbuluar organizatorët e kësaj veprimtarie armiqësore, personat që kanë marrë pjesë dhe dëmet që i janë shkaktuar pasurisë socialiste.
Për këtë qëllim është organizuar bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë.
Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame
******
Mësymja në ambasada, si refugjatët shqiptarë u ndoqën nga Sigurimi edhe në kampet jashtë vendit
Autoriteti i Dosjeve publikoi dje një shkrim, në të cilin tregohet se si regjimi komunist e konsideronte krizën e ambasadave si një kërcënim të madh dhe ndërmori masa për ndjekjen e qytetarëve të larguar, veçanërisht në Gjermaninë Perëndimore.
Refugjatët shqiptarë u ndoqën nga Sigurimi edhe në kampet jashtë vendit
– Planifikohet sigurimi i filmimeve dhe infiltrimi i agjenteve për t’i ndjekur refugjatët edhe jashtë kufijve.
Edhe pse regjimi komunist shqiptar po shembej, Sigurimi i Shtetit vijonte të funksiononte me të njëjtin mekanizëm frikësimi, ndjekjeje dhe infiltrimi. Dokumentet arkivore të 25 korrikut 1990 tregojnë se regjimi e konsideronte krizën e ambasadave si një kërcënim të madh dhe ndërmori masa të menjëhershme për ndjekjen e qytetarëve të larguar, veçanërisht në Gjermaninë Perëndimore.
PLANI
Kontrolli mbi refugjatët jashtë vendit indetifikohet përmes një plan veprimi ku synonte:
• Kontrollin e refugjatëve përmes kartotekave të Drejtorisë së Tretë dhe të Parë.
• Aktivizimin e agjentëve jashtë vendit për mbikëqyrje dhe informim.
•Shfrytëzimin e lidhjeve të legalizuara e ilegale për të mbledhur të dhëna për vendndodhjen, qëndrimin, deklaratat dhe kontaktet e refugjatëve.
Agjentët me pseudonimet “6761”, “6759” dhe “1472” u aktivizuan për të:
• Mësuar rreth trajtimit që autoritetet gjermane po u bënin refugjatëve,
• Identifikuar tendencat për krijimin e partive politike,
• Evidentuar elementët e armiqësuar dhe intelektualët që mund të shfrytëzoheshin,
• Gjetur lidhje të mundshme me shërbimet e huaja të zbulimit.
Kamera të fshehta
Një prej urdhrave në dokument kërkonte edhe:
“Qoftë edhe duke paguar diçka, të siguroni filmimin e refugjatëve në kampe, kushtet e punës dhe të jetesës, duke theksuar anën negative të problemit.”
Si dhe Aktivizimi i “miqve të Shqipërisë”, përfshirë kosovarë e simpatizantë të regjimit për të ushtruar presion mbi refugjatët.
• Ndjekja e figurave të emigracionit të vjetër si Leka Zogu, Zef Camaj, Ndue Gjokmarkaj etj., për të mësuar mbi interesat dhe kontaktet e tyre me të ikurit.
Një luftë e vazhdueshme ndaj të ikurve
Plani i Sigurimit nuk ndalej te ndjekja. Ai synonte:
• Kontrollin e çdo përpjekjeje për organizim politik në diasporë.
• Zbulimin e “nxitësve dhe organizatorëve” të 2 korrikut.
• Ndikimin mbi kampet e refugjatëve dhe rekrutimin e elementëve për interesa të Sigurimit.
Dokumentet e korrikut 1990 janë një dëshmi e qartë se kontrolli i regjimit nuk mbaronte në kufi. Edhe pas arratisjes, shqiptarët mbeteshin objekt i ndjekjes, manipulimit dhe frikësimit të organizuar nga një sistem që refuzonte të rrëzohej në heshtje
*Shkrim i publikuar nga Autoriteti i Dosjeve Fondi arkivor, dosje 206 “Mbi hyrjet në ambasadën Gjermane”.
Fotot nga ekspozita e Ambasada Gjermane Tiranë në vitit korrik të vitit 2020 në kujtim të eksodit të 2 – 12 korrik.
/Gazeta Panorama