Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas vendosjes së gurthemelit të një çerdheje në Prishtinë, deklaroi se është gjithmonë i gatshëm për takime dhe konsultime konstruktive, si dhe bashkëpunim në mirëbesim me partitë politike për zhbllokimin e krizës në Kuvend.
Ai theksoi se për të arritur konsensus dhe kompromis në përbërjen e komisionit ka ofruar dy alternativa konkrete.
“Kompromisi i parë është që partitë politike t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre dhe nëse nuk dëshirojnë votim të fshehtë, atëherë ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet. Me bojkot nuk ecet përpara,” tha Kurti.
Sipas tij, pas rrëzimit me votë të komisionit, do të mund të ktheheshin në një votim të hapur me marrëveshje politike, ku kryetari dhe pesë nënkryetarët do të votohen një nga një, por gjithnjë sipas një dakordësie paraprake.
Kompromisi i dytë, tha Kurti, është propozim i kandidatës së VV-së për kryetare të komisionit, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se nëse nuk votohet me votim të fshehtë, nuk do të pranojë të votohet dy herë për të dhe do të tërhiqet nga gara.
“Le ta provojnë votimin e fshehtë: ose fiton Albulena, ose ne sjellim një emër tjetër,” u shpreh kryeministri në detyrë.
Ai kritikoi qëndrimin e opozitës ndaj votimit të fshehtë dhe e krahasoi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, ku sipas tij qytetarët votuan me votë të fshehtë dhe fituese doli Vetëvendosje.
“Ne kemi 48 deputetë, PDK 24 dhe LDK 20. Pra, PDK plus LDK nuk bëjnë shumicën që ka VV-ja. Ky është fakt i jetës dhe demokratik, me të cilin duhet të pajtohen,” përfundoi Kurti.