Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit edhe në tentimin e 39-të për konstituimin e Kuvendit, tha se edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje po vazhdon me shkelje.
“Nuk është situatë e njëjtë si para aktgjykimit të Kushtetueses. Nëse ka një qartësi, ai aktgjykim është e qartë se nuk mund të ndryshohet rendi i ditës aq më pak në mënyrë arbitrare. Insistimi i njëjtë si në seancat e kaluara i bije, që për Kurtin e LVV-në, as Kushtetuesja e as aktgjykimet e saj nuk kanë kurrfarë vlere”, tha Krasniqi.
Krasniqi, tha se nuk është asgjë e re për ta që LVV-ja e shkelë Kushtetutën.
“Së paku 10 herë e kanë shkelë Kushtetutën e ne si PDK gjatë mandatit të tij i kemi kontestuar në kushtetuese. Shpërfillja e Kushtetutës nuk është asgjë e re, sepse këta nuk e kanë njohur as shtetin as Kushtetutën, por sot për një çështje kaq të rëndësishme, siç është zhbllokimi dhe konsolidimi i institucioneve të reja është rrezikim i demokracisë në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se rendi i ditës është caktuar me 8 prill, ashtu siç e parasheh Rregulloreja e siç e ka konfirmuar aktgjykimi.
“Sot këtu është dashur të tërhiqen nga shkelja kushtetuese. Ta zëmë nuk e kanë ditur që po bëjnë shkelje deri para tre- katër ditësh, sot dihet. Është ndryshim i rendit të ditës. Këtu është një pikë e re e rendit të ditës, në mënyrë arbitrare po mundohen ta ndërrojnë rendin e ditës. Është e drejtë kushtetuese kënd e propozojnë. Ata e dinë që Haxhiut kurrë nuk do t’ia bëjnë votat. Ju kam thënë në seancën e dytë apo të tretë që as nuk i ka as nuk do t’i ketë votat . Më vjen keq dy muaj e sa më vonë prapë është e saktë. Nëse dëshiron të këmbëngul le të vazhdojë me të, ka të drejtë, aktgjykimi nuk e kishte limituar, por ajo është sjellje e papërgjegjshme.”, deklaroi Krasniqi.