Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar pas takimit të liderëve të partive me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se një tryezë gjithëpërfshirëse e forcave politike shqiptare është e domosdoshme për të dalë nga kriza dhe për të mundësuar konstituimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
“Pas tre muajsh erdhëm deri te një takim i tillë dhe sot ky takim më tepër ka shkuar rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të secilit se si e shohin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e më pak është folur për atë që unë besoj se është tema kryesore. Krizat politike sikur këto zgjidhen me marrëveshje politike,” u shpreh Limaj.
Ai shtoi se ata që kanë pritur që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të zgjidhte krizën politike, nuk e kanë kuptuar drejt funksionimin e këtij institucioni dhe të sistemit kushtetues në përgjithësi.
Sipas tij, takimi ishte një hap i rëndësishëm për të krijuar terrenin e dialogut dhe për të hapur rrugën për diskutime të tjera. “Takimi i parë është gjithmonë më i vështirë derisa të njihen pozicionet e forcave politike. Unë u mundova që të jap kontributin tim për t’u kthyer në esencën që na e jep zgjidhjen dhe në atë që presin qytetarët e Kosovës,” theksoi Limaj.
Ai u bëri thirrje të gjithë liderëve politikë që të përqendrohen te një marrëveshje politike që mund ta zgjidhë menjëherë ngërçin institucional.
Në fund, Limaj apeloi që Vetëvendosje, si partia më e madhe, të marrë përgjegjësinë për të ndërtuar shumicën parlamentare, përmes kompromisit dhe bashkëpunimit me forcat e tjera politike.