Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka lëshuar akuza të forta ndaj Perëndimit, duke e akuzuar për një formë të re të kolonializmit ndaj vendeve të vogla, përmes mjeteve jo-ushtarake si mediat, organizatat joqeveritare dhe shërbimet sekrete. Deklaratat ai i bëri gjatë Forumit Ndërkombëtar të Studentëve të mbajtur në Beograd, ku mbajti një fjalim të ngarkuar me retorikë kundër standardeve të dyfishta ndërkombëtare dhe rolit të Perëndimit në Ballkan.
Sipas Vuçiçit, rendi ligjor ndërkombëtar është “fshirë”, ndërsa bota moderne po përballet me një kaos të paparë:
“Sot gjërat janë më keq, sepse nuk ka më justifikime, nuk ka rregulla, askush nuk po përpiqet të shpjegojë pse dikush sulmoi një vend sovran ose bombardoi dikë.”
Ai iu referua bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, duke i quajtur ato një precedent të rrezikshëm që, sipas tij, tani po kthehet si bumerang në rendin botëror. Në vazhdim, Vuçiç përforcoi narrativën e viktimizimit të Serbisë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se ajo është “i vetmi komb në rajon që nuk gëzon të drejtën e vetëvendosjes”.
Ndër të tjera, ai kritikoi edhe vendimin e fundit të Shteteve të Bashkuara për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare që prej vitit 2001, duke e quajtur atë një politikë të padrejtë dhe të dëmshme për sovranitetin e Serbisë.
“Perëndimi pengoi nismën Ballkani i Hapur sepse nuk donte zhvillim ekonomik të rajonit dhe pavarësi të vërtetë të Serbisë,” deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, presidenti serb theksoi se Serbia nuk ka ambicie kërcënuese ndaj askujt, por do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj politike, ekonomike dhe ushtarake për të mos qenë më një “shënjestër e lehtë”.
Deklaratat e Vuçiç vijnë në një kohë të tensionuar për rajonin dhe në sfondin e debatit të vazhdueshëm për dialogun Kosovë–Serbi dhe pozicionimin ndërkombëtar të Beogradit mes Perëndimit dhe aleancës së ngushtë me Moskën.