Lufta në Europë mes Rusisë e Ukrainës por edhe vatrat e reja të krizës në Lindjen e Mesme shoqëruar nga retorika e presidentit serb Aleksandër Vuçiç kanë sjellë shqetësime në Kosovë për mundësinë e ngritjes së tensioneve të reja.
Ekspertët e sigurisë thonë se forcat që sfidojnë vlerat perëndimorë mund të sponsorizojnë që të ketë sa më shumë fronte te reja krizash dhe aspiratat e Serbisë që rreshtohet me Rusinë mund të jenë faktor për tensione në rajon.
“Rritja e tensioneve globale si lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme janë kërcënuese drejtpërdrejt për Ballkanin por edhe për Kosovën në tërësi. Gjithashtu vlen të ceket se Kosova ka nevojë për vigjilencë të shtuar sidomos në kufi me Serbinë”, tha për A2 CNN, ish-nënkoloneli i policisë Refki Morina.
Në raste të tilla, Kosovës i kërkohet të jetë e përgatitur dhe gjithmonë në krah me shtetet aleate të saj.
“Përkundër së drejtës tonë për të mbrojtur vendin, për të shtrirë sovranitetin dhe për të ushtruar kompetencat ligjore në çdo cep të vendit natyrisht na duhet një vigjilencë aktive dhe mbajtja gjallë e raporteve me partnerët ndërkombëtarë në këtë periudhë të ndjeshme të rishkrimit të rendit botëror”, tha për A2 CNN, ish-zv/ministri i brendshëm Valdet Hoxha.
“Institucionet tona të sigurisë edhe policia, edhe AKI, edhe ushtria në një mënyrë të përgatiten në rast të caktuara në mënyrë që situata e tillë edhe rajonale edhe globale mos t’i zë të befasuar”, shtoi Morina.
Retorika e Vuçiç që tha se janë armatosur fshehtë duke forcuar ushtrinë dhe duke thënë sedo t’i kthehen Kosovës kur të ketë ndryshime të gjeopolitikës nuk e befasojnë askënd por vetëm tregojnë për qëllimet e tij.
“Përkundër kërcënimeve të tilla nuk shoh ndonjë rrezik potencial në kuptimin e ndonjë sulmi konvencional por kjo retorikë e tij është në vazhdën e mbajtjes gjallë të tensionit në këtë pjesë të rajonit për tu shitur si akterë që eventualisht të mund ta nxisë situatën por edhe të mund të jetë faktor stabiliteti”, shtoi Hoxha.
Së fundmi ekspertët e sigurisë kanë ngritur alarmin se Serbia ka rikthyer narrativën e Sllobodan Millosheviç “për viktimizimin e serbëve” përmes propagandës që kërcënon sigurinë, stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor./A2CNN