Një familje australiane nga Adelaide po bën thirrje për ndihmë dhe po përpiqet të mbledhë fonde për të vijuar kërkimet për Cameron Twiss, 28-vjeçarin që është zhdukur pa lënë gjurmë në Shqipëri, gjatë një shtegtimi në Bjeshkët e Nemuna, tetë muaj më parë.
Twiss u nis më 13 tetor 2024 nga Valbona drejt Thethit, një shteg malor prej rreth 17 kilometrash në veri të Shqipërisë, që konsiderohet një nga më të bukurit, por edhe më të rrezikshmit në rajon. Ai ishte vetëm gjatë udhëtimit dhe nuk është parë më që prej nisjes. Më vonë, pasaporta dhe sendet personale të tij u gjetën në hostelin ku po qëndronte.
Pavarësisht një operacioni të madh kërkimi që përfshiu policinë shqiptare dhe ekipe të specializuara me dronë e qen nuhatës, asnjë gjurmë e Twiss nuk është gjetur. Pas dy javësh kërkim intensiv, autoritetet vendosën të ndërpresin operacionin.
Familja e Cameron nuk është dorëzuar. Vëllai i tij, Stuart Twiss, ka rihapur një fushatë për mbledhje fondesh në mënyrë që të angazhojë një detektiv privat që të vazhdojë hetimet dhe të ndjekë çdo pistë të mundshme për zbardhjen e zhdukjes misterioze.
“Deri tani, policia shqiptare nuk ka gjetur asnjë provë dhe Departamenti i Punëve të Jashtme i Australisë nuk ka mundur të na japë ndonjë përgjigje konkrete,” deklaroi Stuart Twiss. “Kemi pasur ndihmën e disa hetuesve privatë, por nuk ka ende ndonjë përparim. Po kërkojmë ndihmë nga publiku për të vazhduar kërkimet për Cameron.”
Banorë të zonës malore i thanë më herët televizionit australian 7NEWS se ky shteg duhet përshkuar me një udhërrëfyes të trajnuar për shkak të terrenit të vështirë. Miku i Twiss kishte shprehur shqetësimin se 28-vjeçari mund të kishte rrëshqitur në ndonjë zonë të thepisur apo të ishte përballur me ndonjë incident të rëndë.
Misteri që rrethon fatin e të riut australian mbetet i pazgjidhur, ndërsa familja vazhdon përpjekjet për ta gjetur apo për të zbuluar çfarë ndodhi me të në Alpet Shqiptare.
Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.