Një tentativë grabitjeje ka përfunduar me plagosjen e një shtetasi shqiptar në zonën e Salernos, Itali. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur tre persona, të gjithë me origjinë shqiptare, hynë në një banesë private me qëllim grabitjen. Pronari i shtëpisë i kapi në flagrancë dhe reagoi duke përdorur armën e tij të zjarrit, të cilën e posedonte me leje të rregullt.
Nga të shtënat, njëri nga grabitësit mbeti i plagosur dhe u transportua me urgjencë në spital nga shërbimi i emergjencës. Dy të tjerët arritën të largohen dhe aktualisht janë në arrati. Hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se edhe një nga grabitësit e tjerë mund të jetë plagosur gjatë përplasjes, por kjo mbetet për t’u verifikuar nga autoritetet.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në komunitetin lokal, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të saj dhe verifikimin e përgjegjësive ligjore të përfshira në incident.