Pas dështimit për të 35-ën herë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar këtë subjekt politik për mosvëmendje ndaj interesit shtetëror.
Në një prononcim për mediat, Çitaku tha se edhe një herë u dëshmua se për Vetëvendosjen “pushteti është më i rëndësishëm se shteti”. Ajo theksoi se situata në të cilën ndodhet Kuvendi është alarmante dhe kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të reflektojë përballë krizës institucionale.
“Ky teatër që po ndodh në Kuvendin e Kosovës duhet të marrë fund. Jemi në një situatë të paprecedentë ku për herë të 35-të dështojmë të konstituojmë Kuvendin. Kosova është buzë kolapsit institucional. Pushteti nuk mund të mbahet me çdo kusht, në kurriz të shtetit dhe qytetarëve,” u shpreh Çitaku.
Ajo u bëri thirrje publike përfaqësuesve të Vetëvendosjes që të vendosin interesin shtetëror mbi atë partiak, duke theksuar se çdo vonesë e mëtejshme përkeqëson krizën dhe dëmton imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të mbahet më 23 qershor, në orën 11:00, ndërsa palët politike vijojnë të mbeten në pozicione të palëkundura, duke thelluar bllokadën institucionale që ka zgjatur prej muajsh.



