Rusia ka reaguar menjëherë pas deklaratave të presidentit Vladimir Putin lidhur me Kosovën, duke i dhënë një tjetër dimension pretendimeve të Serbisë në raport me shtetin e pavarur të Kosovës. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i ka dalë në krah Beogradit zyrtar, duke theksuar se Kosova për Serbinë nuk është thjesht një çështje politike, por një “çështje ekzistenciale”.
Në një deklaratë të fortë për shtyp, Zakharova sulmoi hapur Perëndimin, duke e akuzuar se po ushtron presion ndaj Serbisë dhe po përkrah “sabotimin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shmangur zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“E ashtuquajtura Republikë e Kosovës është një fëmijë i Perëndimit, fryt i agresionit barbar të NATO-s në vitin 1999. SHBA-të luajtën një rol kyç në të gjithë këtë,” deklaroi Zakharova.
Komentet e saj vijnë në një moment kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë një paralelizëm mes precedentit të pavarësisë së Kosovës dhe aspiratave separatiste të rajonit të Donbasit në Ukrainë. Sipas Kremlinit, argumentet që Perëndimi ka përdorur për të njohur pavarësinë e Kosovës tani vlejnë për të justifikuar qëllimet territoriale të Rusisë.
Zakharova theksoi se Serbia nuk mund të detyrohet të ndryshojë qëndrim: “Presioni ndaj Beogradit është i padobishëm. Nuk është një çështje politike, por thelbi i identitetit të tyre historik e kulturor”.
Një tjetër pikë kyçe në këtë qëndrim rus është mbështetja për krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Zakharova tha se Perëndimi po “legalizon ndarjen” e tokave serbe dhe po injoron mungesën e përmbushjes së detyrimeve nga ana e institucioneve të Prishtinës.
Rusia vazhdon të mbështesë me forcë Rezolutën 1244 të OKB-së, e cila i jep një rol të rëndësishëm Serbisë në çështjen e Kosovës, ndërsa e kundërshton çdo përpjekje për ta njohur plotësisht shtetin e ri të pavarur.
Ky reagim i ashpër i Moskës vjen në një moment tensioni të lartë në rajon dhe përkon me qëndrimet e përsëritura të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.



