Familja e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, ka bërë një thirrje publike drejtuar institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave për të drejtat e njeriut, duke kërkuar ndihmë për djalin e tyre, i cili ndodhet në paraburgim në Serbi që nga 7 qershori.
Sipas tyre, Spahiu është arrestuar mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazuar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Banjskë, ku humbën jetën tre shtetas serbë. Familjarët sqarojnë se Arbnor Spahiu ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës më 1 nëntor 2022 dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani.
“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinioni publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit”, thuhet në reagimin e tyre.
Prindërit e tij theksojnë se do të vazhdojnë të ndjekin rrugët ligjore dhe institucionale, me bindjen se e vërteta nuk mund të mohohet. Ata kërkojnë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar për të garantuar një proces të drejtë dhe për të ndaluar abuzimet me drejtësinë në dëm të qytetarëve të Kosovës.



