Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Maceratës, ku 45-vjeçarja Gentiana Kopili u vra me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, 55 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Perugia. Hudhra, fermer me profesion, sulmoi viktimën në rrugën Benadduci, duke e qëlluar rreth 10 herë me një thikë të gjatë 30 cm.
Sipas hetimeve, Hudhra e kishte kaluar ditën me djalin e tij 21-vjeçar dhe më pas kishte marrë një skuter, të cilin e përdori për t’u afruar pa u vënë re, pasi Gentiana “do ta njihte makinën e tij”. Gentiana, që punonte si kujdestare, po fliste në telefon me një mik në momentin e sulmit nga pas, ku edhe u godit me thikë dhe më pas me shqelma.
Ngjarja u filmua nga dëshmitarët që vëzhguan përmes dritareve, ndërsa autori u ul pranë trupit të viktimës duke qëndruar i palëvizshëm. Një kalimtar u afrua dhe Hudhra i tha: “Bëra atë që duhej të bëja, tani telefononi policinë”. Forcat e rendit e arrestuan në vendngjarje.
Gjatë marrjes në pyetje, Hudhra pranoi krimin, duke thënë se kishte planifikuar të vriste ish-bashkëshorten për të “liruar fëmijët e tij”. Ai deklaroi se kjo ishte tentativa e tretë për ta vrarë dhe se Gentiana “donte ta helmonte”. Në makinën e tij u gjetën edhe thika të tjera, njëra e fshehur nën rrobat e punës.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë për vrasje të paramenduar, me rrethanë rënduese mizorinë dhe faktin që viktima ishte grua. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e ekspertizës psikiatrike për Hudhrën.
Nikollaq Hudhra ndodhet në paraburgim në burgun Montacuto të Ankonës, ndërsa seanca për masën e sigurisë pritet të mbahet së shpejti. Autoritetet theksojnë se nuk kishte shenja që Gentiana ishte në rrezik, pasi ajo vazhdonte jetën normale si punonjëse kujdestare.
Ky është femicidi i 33-të në Itali që nga fillimi i vitit.



