Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar sot se është i gatshëm të sigurojë shumicën parlamentare prej 61 deputetësh për krijimin e një qeverie të re, nëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garanton 19 vota të saj.
“Matematika është shumë e thjeshtë, vetëm 19 vota të LDK-së – unë i bëj tjerat dhe bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju, edhe unë, edhe secili. Këtu ka deputetë të Kosovës, pa Listën Serbe, që partitë e ish-opozitës e bëjnë 61-shin,” u shpreh Krasniqi pas dështimit të 31-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Deklarata e tij vjen një ditë pas prezantimit të një agjende 15-pikëshe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili bëri thirrje për krijimin e një “qeverie uniteti”. Në këtë agjendë përfshihen tema si reforma kushtetuese, rritje e pagave, zgjidhje për krizën energjetike dhe riforcim i partneritetit me SHBA-në dhe BE-në.
Ndërkohë, përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare kanë dështuar, duke e lënë Kosovën në një bllokadë të thellë politike. Seanca e 31-të për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të premten, më 13 qershor.



