Ish-zyrtarit të Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga autoritetet serbe, pas ndalimit të tij disa ditë më parë në territorin e Serbisë.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Arianit Koci, i cili e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të motivuar politikisht. “Ky vendim është i padrejtë, i motivuar politikisht dhe pa asnjë provë apo bazë faktike,” ka deklaruar Koci në një reagim publik.
Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm dhe të qartë nga institucionet më të larta të Republikës së Kosovës. “Kërkoj angazhim të drejtpërdrejtë të shtetit të Kosovës – jo vetëm nga Ministria e Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd – por edhe nga Kryeministri dhe Presidentja e vendit. Asnjë qytetar i këtij vendi nuk guxon të lihet vetëm kur përsekutohet padrejtësisht,” u shpreh Koci.
Sipas tij, deri tani mungon një përfshirje e plotë shtetërore për të mbrojtur qytetarin kosovar që, sipas mbrojtjes, është arrestuar pa asnjë provë konkrete. Avokati njoftoi gjithashtu se do të udhëtojë drejt Suboticës për të ndjekur nga afër rastin.
Ndalimi i Arbnor Spahiut ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë, me kërkesa të shtuar për ndërhyrje të diplomacisë dhe institucioneve vendore për lirimin e tij.



