Në koalicionin qeverisës të Gjermanisë, të udhëhequr nga konservatorët, po rriten tensionet lidhur me politikën e migracionit pas një vendimi të rëndësishëm të Gjykatës Administrative të Berlinit. Kjo gjykatë vendosi javën e kaluar se refuzimi i tre azilkërkuesve somalezë në kufirin me Poloninë ishte i paligjshëm.
Sipas vendimit, nuk mund të ketë më refuzime të përgjithshme të azilkërkuesve pa u sqaruar se cili shtet i Bashkimit Europian është përgjegjës për trajtimin e kërkesës së tyre. Gjykata vlerësoi gjithashtu se qeveria nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të justifikuar refuzimin e tyre në emër të sigurisë publike. Të tre somalezët janë kthyer tashmë në Berlin.
Matthias Miersch, kreu i grupit parlamentar të Social-Demokratëve (SPD), parti anëtare e koalicionit, tha për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se ky vendim ngriti çështje thelbësore që qeveria duhet t’i adresojë dhe se kancelari Friedrich Merz e ka pranuar nevojën për rishikim të politikave të migracionit në dritën e këtij vendimi.
Megjithatë, ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt mbrojti politikën e kontrollit më intensiv kufitar të prezantuar më 7 maj, duke theksuar se vendimi i gjykatës ishte individual dhe se çështja duhet të përfundojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Kryetarja e Gjykatës Administrative të Berlinit, Erna Viktoria Xalter, tha për portalin “Zeit Online” se vendimi urgjent i gjykatës është i pakontestueshëm në nivel të Gjykatës Evropiane.
Nga ana tjetër, kancelari Friedrich Merz, i Partisë Demokrate të Krishterë (CDU), konfirmoi se do të vazhdojë të refuzojë azilkërkuesit në kufi edhe pas këtij vendimi gjyqësor, duke treguar se çështja e migracionit pritet të mbetet një nga temat më të nxehta në politikën gjermane në muajt në vijim.



