Detaje tronditëse janë zbuluar nga hetuesit italianë mbi vrasjen brutale të 30-vjeçares Maria Denisa Adas Paun. Ngjarja, që ka tronditur opinionin publik në Itali dhe më gjerë, ndodhi në qytetin e Pratos, ku një 32-vjeçar rumun, punonjës sigurie, ka pranuar autorësinë e krimit.
Sipas Zyrës së Prokurorit Publik të Pratos dhe raportimeve të agjencisë shtetërore italiane të lajmeve ANSA, burri e vrau të renë pasi ajo e kishte shantazhuar me qëllim përfitimi financiar. Viktima, sipas dëshmisë së autorit, i kishte kërkuar 10,000 euro për të mos i treguar gruas së tij se ai kishte paguar për marrëdhënie seksuale me të.
Gjatë një seance të gjatë marrjeje në pyetje, autori ka treguar se Denisa u vra në dhomën e saj të banesës në Prato. Ai e mbyti atë, më pas e përdhosi trupin në mënyrë makabre: ia preu kokën dhe e futi në një qese plehrash, të cilën e vendosi në valixhen e viktimës bashkë me pjesën tjetër të trupit. Më pas, i ngarkoi të gjitha në bagazhin e makinës së tij dhe i transportoi drejt një zone rurale në Montecatini Terme, ku u gjet trupi.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, ai u identifikua duke larguar trupin me dy çanta – një valixhe të zezë dhe një karrocë të bardhë. Në dëshminë e tij, autori ka pranuar se e dogji kokën e prerë së bashku me valixhen, në kopshtin e shtëpisë së tij në Monsummano Terme, duke përdorur benzinë dhe dru zjarri. Hetuesit kanë gjetur gjurmë materiale në vendin e ngjarjes, të cilat janë marrë për analizë.
Shantazhi dhe kërcënimet që dyshohet se e çuan deri në krim përfshinin edhe deklarata të tilla si: “Do t’ia tregoj gruas tënde”, duke përmendur se kishte pamje filmike dhe njerëz që mund ta gjenin bashkëshorten e tij.
Prokuroria po heton edhe praninë e një personi të tretë – një shtetas italian – i cili dyshohet se ka qenë në kontakt me viktimën në orët e fundit të jetës së saj, përkatësisht mes orës 22:09 dhe 23:36 të datës 15 maj, periudhë që përkon pjesërisht me kohën kur i dyshuari ndodhej në banesë.
Maria Denisa Paun ishte shpallur e zhdukur që nga nata mes 15 dhe 16 majit. Trupi i saj u gjet më pas në rrethana tragjike që zbulojnë jo vetëm një vrasje të rëndë, por edhe një zinxhir shantazhesh, mashtrimesh dhe brutaliteti që ka tronditur komunitetin vendas dhe më gjerë.
Ngjarja mbetet në hetim të thelluar, ndërsa autoritetet premtojnë zbardhjen e plotë të çdo detaji.



