Tentuan të vidhnin një farmaci, por përfunduan në përplasje fatale gjatë ndjekjes nga policia. Banda shqiptare dyshohet për disa grabitje të ngjashme në zonë.
Një aksident tragjik ka tronditur qytetin e Malagës në Spanjë, ku tre shtetas shqiptarë dhe një oficer policie humbën jetën pas një ndjekjeje të furishme që pasoi një tentativë grabitjeje.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur tre shqiptarë u përpoqën të vidhnin një farmaci në zonën Puerto de la Torre. Sipas gazetës lokale Diario SUR, ata hynë në ambientet e biznesit pasi kishin manipuluar sistemin e sigurisë, pa dëmtuar roletën. Pasi dështuan të shkëpusnin sirtarin e parave të fiksuar fort në dysheme, u larguan me një automjet me motor të fuqishëm.
Alarmi u dha rreth orës 04:45 dhe menjëherë nisi ndjekja nga forcat e Policisë Kombëtare dhe Policisë Lokale. Aksidenti fatal ndodhi rreth orës 05:30 në një dalje të autostradës A-7, në drejtim të Torremolinosit. Sipas hetimeve paraprake të Gardës Civile, makina e grabitësve po lëvizte në drejtim të kundërt dhe u përplas ballazi me automjetin e një oficeri policie që po kthehej nga turni i natës. Të katër personat humbën jetën në vend.
Sipas autoriteteve spanjolle, shqiptarët dyshohen të jenë pjesë e një bande të strukturuar që ka kryer disa grabitje të farmacive në Malaga gjatë muajve të fundit. Një seri sulmesh të ngjashme janë regjistruar edhe më herët, ku grabitësit përdornin vegla të forta për të çarë xhamat dhe për të shkëputur sirtarët me para.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa ky incident ka rikthyer shqetësimet për sigurinë publike dhe kriminalitetin e organizuar në rajon. Autoritetet pritet të identifikojnë plotësisht autorët shqiptarë dhe lidhjet e tyre me rastet e tjera të grabitjeve të farmacive në qytet.



