Në një seancë dëgjimore të mbajtur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, u hodhën dritë mbi rreziqet që i kanosen stabilitetit të Ballkanit Perëndimor nga politika e jashtme agresive e Serbisë dhe lidershipit të saj. Emri i presidentit Aleksandër Vuçiç u përmend si një ndër faktorët destabilizues të rajonit, ndërsa u bënë thirrje për veprime më të qarta të Uashingtonit në mbështetje të Kosovës dhe forcimit të pranisë euroatlantike.
“Mendoj se Serbia dhe Republika Srpska janë aktorë të këqij që vënë në rrezik stabilitetin në Ballkan. Liderët e tyre, Vuçiç dhe Dodik, janë banditë. Dodik kërkon të kthejë Bosnjën në një fuçi baruti, ndërsa Vuçiç synon të eliminojë sovranitetin e Kosovës,” u shpreh admirali në pension i ushtrisë amerikane, Mark C. Montgomery.
Ai theksoi se përgjigjja amerikane duhet të jetë e fortë dhe e vendosur, përmes mbështetjes së vazhdueshme të KFOR-it dhe përgatitjes së Kosovës për integrim të plotë në Bashkimin Europian dhe NATO. “Më e rëndësishmja është që Kosova të ecë përpara në integrimin euroatlantik. SHBA duhet të përdorë ndikimin e saj për të bindur vende si Spanja që të mos pengojnë këtë proces,” theksoi Montgomery.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-ambasadorja amerikane në NATO, Victoria Smith, e cila kërkoi vëmendje të shtuar nga Perëndimi për rajonin.
“Nëse SHBA, NATO dhe BE nuk qëndrojnë të pranishëm dhe të angazhuar në Ballkanin Perëndimor, Rusia dhe Kina janë të gatshme të mbushin boshllëkun dhe të ndajnë Europën nga Shtetet e Bashkuara,” paralajmëroi ajo.
Seanca dëgjimore, e udhëhequr nga kongresmeni republikan Keith Self, theksoi se rajoni përballet me kërcënime në rritje ndaj sigurisë dhe interesave perëndimore. Ai nënvizoi se tre shtete të Ballkanit – Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Kosova – ende nuk janë pjesë e NATO-s, ndërsa Kosova shfaqet e gatshme të anëtarësohet me çdo kusht në aleancë.
Diskutimet në Kongres vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajon, ku përplasjet diplomatike dhe ndërhyrjet e aktorëve të jashtëm si Rusia dhe Kina e bëjnë më të domosdoshëm se kurrë angazhimin aktiv të Perëndimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.



