Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas dështimit të 26-të për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar situatën në vend si të rënduar dhe krizën si të gjithanshme.
“Sot dështuam sërish të konstituojmë institucionet. Vendi është në krizë, ekonomia është në krizë. Është momenti të mendojmë për qytetarin më shumë se për vetveten,” deklaroi Çitaku para mediave.
Ajo kritikoi ashpër mënyrën se si është caktuar seanca e radhës, duke thënë se ajo është “kurdisur” për të akomoduar nevojat individuale të deputetëve, në vend që të synohej një zgjidhje në interes të vendit.
“Sot pati përpjekje dhe fatkeqësisht u kurdis seanca për të akomoduar nevojat e deputetëve, e nuk po arrin të bëjnë marrëveshje për të mirën e qytetarëve”, shtoi ajo.
Procesi për formimin e institucioneve në Kosovë vijon të mbetet i bllokuar, me palët politike që ende nuk kanë arritur një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.



