Marrëveshja e bujshme mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e qendrave të emigrantëve jashtë kufijve të Bashkimit Europian është përballur me një pengesë të fortë juridike. Gjykata e Kasacionit në Itali ka vendosur të kërkojë opinionin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian (GDJE) mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshjeje me të drejtën europiane, veçanërisht me Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së.
Vendimi erdhi si pjesë e një procesi që ka në qendër një emigrant tunizian, i cili ka kundërshtuar masën e shoqërimit të detyruar në një nga qendrat e pritjes në Gjadër – një strukturë që sipas marrëveshjes Italo-Shqiptare, do të shërbejë si pikë e parë kontakti për emigrantët e shpëtuar nga anijet italiane në Mesdhe.
Gjykata më e lartë në sistemin gjyqësor italian ka ngritur pikëpyetje serioze mbi kompetencat e Italisë për të zbatuar ligje të saj jashtë territorit kombëtar, si dhe mbi sigurinë juridike dhe të drejtat që u garantohen emigrantëve në një vend që nuk është pjesë e BE-së. Me kërkesën për ndërhyrjen e Gjykatës së Luksemburgut, procesi praktikisht “ngrin” përkohësisht zbatimin e plotë të marrëveshjes, derisa të vijë një interpretim zyrtar nga drejtësia europiane.
Ky zhvillim konsiderohet një goditje për kryeministren Giorgia Meloni, e cila e ka përdorur këtë marrëveshje si simbol të linjës së saj të ashpër mbi emigracionin. Një vendim i pafavorshëm nga Gjykata Europiane do të rrëzonte jo vetëm planin për qendrat në Shqipëri, por edhe një precedent që Meloni ka synuar ta shesë si model për gjithë Europën.
Në Tiranë, autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar ende zyrtarisht, por burime diplomatike shprehen se qeveria shqiptare do të presë me kujdes përfundimet e Gjykatës së BE-së para se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Ndërkohë, grupet për të drejtat e njeriut, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, e kanë përshëndetur ndërhyrjen e Gjykatës së Kasacionit, duke e konsideruar atë si një mundësi për të rivlerësuar aspektet ligjore dhe humane të kësaj marrëveshjeje të shumëdebatuar.
Për çfarë duhej të shprehej Kasacioni?
Dy vendimet e fundit të dhëna nga Seksioni i Parë Penal (me kryetar trupit gjykues Giuseppe De Marzo dhe relatorë Daniele Cappuccio e Carmine Russo) lidhen me ankimet e Ministrisë së Brendshme për dy raste emigrantësh për të cilët Gjykata e Apelit në Romë kishte vendosur të mos miratonte ndalimin e tyre: dy personat mbaheshin të ndaluar në Shqipëri dhe kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare. Një rekurs që ra kështu në vesh të shurdhër.
Gjykata e Kasacionit ngrin gjithçka dhe i paraqet Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dy pyetje thelbësore: A i respektojnë vërtet marrëveshjet mes Romës dhe Tiranës direktivat evropiane? Dhe a i mbrojnë të drejtat e kërkuesve të azilit?
Pyetja e parë trajton pikërisht përputhshmërinë me ligjin e Unionit të një dispozite të përfshirë në ligjin që ratifikon protokollin mes Italisë dhe Shqipërisë (ligji nr. 14 i vitit 2024), ku parashikohet ndalimi pa “perspektiva të paracaktuara” për riatdhesim çka do të ishte në kundërshtim me Direktivën 2008/115. Pyetja e dytë synon të verifikojë nëse respektohet parimi themelor i të drejtës për të qëndruar në territorin e shtetit ku bën mbrojtjen (i lidhur me nenin 9 të Direktivës për Kualifikimet). Por problemi qëndron se Shqipëria nuk është territor i shtetit italian.
Dekreti i ndryshimit
Qendra pritëse në Gjadër të Lezhës fillimisht ishte parashikuar për strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve të shpëtuar në det nga anijet italiane, për një periudhë deri në 28 ditë. Me dekretin e ri të qeverise Meloni, kampi do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe pritet të deportohen në vendet e tyre të origjinës.
Nga ana tjetër pritet në ditët në vijim edhe vendimi i gjyqtarëve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë teksa do të shqyrtojnë apelimin e Gjykatës së Romës, e cila deri më tani nuk e ka njohur legjitimitetin e ndalimeve të urdhëruara kundër emigrantëve të shpëtuar në det dhe të transferuar në anën tjetër të Adriatikut, sepse ata vijnë nga vende që qeveria italiane i konsideron të sigurta.
Çfarë ka ndodhur në muajt e kaluar?
Emigrantët e ardhur në janar 2025 ishin grupi i tretë dhe më i madh që ka ardhur në qendrën e pritjes në Shëngjin. Edhe në dy rastet e mëparshme, të tetorit dhe nëntorit të kaluar, gjyqtarët nuk vërtetuan ndalimin e azilkërkuesve të sjellë në objektet shqiptare. Qeveria italiane u ndalua disa herë nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër. Shkak i ndalimit dhe kthimit të emigrantëve ishin listat e vendeve të origjinës së azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet e BE.
Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje. Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik.
Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta. Ndër të tjera, për pjesën e listës së vendeve të sigurta, Gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e Ministrit të Jashtëm dhe Ministrave të tjerë.
Marrëveshja për emigrantët është kritikuar nga opozita italiane se është e shtrenjtë, me një kosto rreth 800 milionë euro gjatë pesë viteve, dhe sipas tyre trajton vetëm një pikë në oqeanin e emigrantëve që arrijnë në Itali çdo vit. Nga ana tjetër Komisioni Evropian dhe disa liderë evropianë kanë shprehur interesin që ai të bëhet një model i mundshëm për menaxhimin e emigrantëve jashtë territorit të BE-së.
Ndërkohë më 28 maj 2025 një kontigjent emigrantësh ka mbërritur në Shëngjin. Pas mbërritjes emigrantët u transferuan drejt kampit të Gjadrit, ku janë riatdhesuar brenda kësaj strukture, konform rregullave dhe protokolleve të përcaktuara.



