Croatia Airlines, në bashkëpunim me Bordin Kombëtar të Turizmit Kroat dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, prezantoi sot para operatorëve turistikë dhe përfaqësuesve të mediave shqiptare zgjerimin e pranisë së saj në Shqipëri dhe forcimin e lidhjeve turistike mes dy vendeve.
Nga muaji korrik, linja ajrore kroate do të rrisë numrin e fluturimeve direkte nga Tirana në Zagreb nga dy në tre herë në javë – çdo të martë, të premte dhe të diel – duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi gjatë sezonit turistik. Biletat vajtje-ardhje mund të rezervohen me çmim nisës prej 143 euro, në faqen zyrtare të kompanisë: www.croatiaairlines.com.
Marija Pavić, Drejtore e Shitjeve në Croatia Airlines, theksoi se Shqipëria është një treg në rritje dhe se Zagrebi mund të shërbejë edhe si pikë tranziti për destinacione të tjera evropiane si Britania, Zvicra, Gjermania dhe vendet nordike.
Ndërkohë, Renata Dezeljin nga Bordi i Turizmit Kroat vlerësoi Shqipërinë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët kroatë dhe theksoi mikpritjen që i pret shqiptarët në Kroaci, një vend i pasur me bregdet, ishuj dhe kuzhinë të shijshme.
Croatia Airlines do të ofrojë gjatë sezonit turistik të këtij viti fluturime drejt 30 destinacioneve ndërkombëtare në 31 aeroporte, me mbi 18,200 fluturime dhe 2.26 milionë vende, duke shënuar një rritje prej 18% krahasuar me vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) vijon të njohë rritje të shpejtë. Me një rekord prej 10.7 milionë pasagjerësh në vitin 2024, drejtori operacional i TIA-s Piervittorio Farabbi tha se aeroporti po zgjerohet për të përballuar deri në 15 milionë pasagjerë në vit, duke përmirësuar infrastrukturën dhe përvojën e pasagjerëve.
Ky zhvillim pritet të forcojë më tej lidhjet ekonomike dhe turistike Shqipëri-Kroaci, në një kohë kur interesimi për lëvizjet dhe shkëmbimet mes dy vendeve është në rritje të ndjeshme.