Policia e Kosovës ka asistuar ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në një operacion të zhvilluar pranë liqenit të Ujmanit në Zubin Potok, ku u ndërhy në një objekt që dyshohet se funksiononte si institucion paralel i Serbisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se operacioni u zhvillua të martën pa asnjë incident.
“Po, i kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në një objekt te liqeni i Ujmanit”, deklaroi Elshani për mediat.
Ky është rasti i dytë i ndërhyrjes në objekte të kontrolluara nga struktura paralele në veri të Kosovës brenda pak ditësh. Më 13 maj, autoritetet kishin ndërmarrë një tjetër veprim duke mbyllur kompaninë paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e Republikës së Kosovës.



