Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes një letre drejtuar emisarit të presidentit amerikan për misione të veçanta në botë Richard Grenell, ka kërkuar mbylljen e Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë pasi ato kanë humbur qëllimin e tyre duke u shndërruar në armë politike.
Në letër shprehet shqetësimi i thellë se Dhomat e Specializuara e kanë humbur qëllimin e tyre, pasi në vend të drejtësisë janë shndërruar në një armë politike ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët kanë dëshmuar pastërtinë e luftës për liri, ndërsa ndaj tyre po bëhet “një gjueti shtrigash”
“Presidenti Trump e di më mirë se kushdo tjetër se kur drejtësia rrëmbehet nga elitat politike, ajo kthehet në një armë për të heshtur patriotët. Pikërisht kjo gjykatë është bërë një mjet për të heshtur ata që sollën paqen, ndalën gjenocidin, dhe mbrojtën lirinë. Dorëheqjet e disa prokurorëve kryesorë, gjyqtarëve dhe zyrtarëve ligjorë nga gjykata e Hagës nuk ishin rastësi, por në formë ndërgjegjeje duke parë se kjo gjykatë është kthyer në një makinë të përndjekjes politike.”
“U desh të vijë një prokuror i korruptuar, me rrethana të errëta, për të ngritur aktakuzat. Dhe ju e dini, e dini më mirë se kushdo, se ato aktakuza ishin të dizajnuara për të sabotuar iniciativën tuaj për paqe në Zyrën Ovale gjatë mandatit të parë të presidentit Trump. Një paqe që ishte afër të arrihej. Ai prokuror u kthye në Amerikë pasi bëri dëmin, duke shpresuar të manipulonte vullnetin e popullit amerikan. Dështoi keq. Sepse Amerika është ndërtuar mbi shekuj lirie, sundimi të ligjit dhe madhështisë kushtetuese. E kjo gjykatë? Kjo gjykatë është ndërtuar mbi idetë e burokratëve dhe klientëve të pushtetit që e shohin drejtësinë si një mjet për pushtet, e jo si një qëllim më vete.”
”I nderuar Ambasador, po ju drejtohemi jo si politikanë, por si veteranë drejtuar një veterani tjetër. Vëllezër të armës. Mbrojtës të lirisë. Po ju kërkojmë të ngrini këtë çështje në administratën tuaj. Tatimpaguesit amerikanë nuk i kanë dërguar paratë e tyre të fituara me djersë në Evropë për të financuar një gjykatë që shkel vlerat mbi të cilat është ndërtuar Amerika. Presidenti Trump po rishkruan rregullat e vjetruara të kontrollit politik ndaj drejtësisë së pavarur dhe sipas këtyre rregullave të reja, kjo gjykatë duhet të mbyllet. Ajo është një turp për drejtësinë amerikane dhe për vlerat amerikane.”
Organizatat e dala nga lufta kërkojnë rishikim të plotë, një auditim financiar dhe një hetim të pavarur për mënyrën se si funksionon gjykata në Hagë dhe se si zyrtarët e saj jetojnë si mbretër, ndërsa luftëtarët e lirisë mbahen nëpër qeli vetëm se kanë mbrojtur atë.
“Nëse liria ka kuptim, nëse drejtësia nuk është vetëm një fjalë por një parim atëherë kjo nuk mund të tolerohet. Ne luftuam kundër Millosheviqit për të ndalur pikërisht këtë lloj abuzimi. Dhe do të ngremë zërin sërish. Amerika ishte me ne kur na duhej më së shumti. Dhe tani po ju kërkojmë sërish, ju lutemi, mos lejoni që kjo gjykatë të shkruajë një histori të rreme. Mos lejoni që elitat e korruptuara të shndërrojnë veteranët në horra. Kjo nuk është thjesht një thirrje për ndihmë por është një thirrje për të mbrojtur lirinë, sërish.”/ KosovaPress/



