Prej pak oresh ka nisur sot numërimi i votave të Greqisë në Parkun Olimpik. Procesi po ndiqet nga Agron Gjekmarkaj, përfaqësues i Partisë Demokratike dhe nga Ulsi Manja dhe Taulant Balla nga PS.
Janë rreth 50 mijë vota të mbërritura me zarfe nga fqinji jugor të cilat u hoqën mënjanë nga KQZ, pasi u kontestuan nga PD.
Nga ana tjetër, ka përfunduar numërimi i votave të ardhura nga shtetet e tjera.
Përfaqësuesi ligjor i i PD-së në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve Marash Logu në deklaratë për mediat deklaroi se PD-ja nuk ka hequr nga votat e opozitës në mënyrë që vullneti i shqiptarëve të mos deformohet nga ai i patronazhistëve të qeverisë.
“Menjëherë sapo është zbardhur vendimi i Komisionerit Celibashi, kemi ushtruar ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, duke kërkuar jo vetëm shfuqizimin e këtij vendimi, por edhe pezullimin e tij. Aktualisht jemi në pritje të mbledhjes urgjente të KAS-it për shqyrtimin e ankimimit tonë.
Nga ana tjetër, të gjithë numëruesit dhe komisionerët e Partisë Demokratike që ndodhen në Parkun Olimpik kanë kontestuar çdo votë të ardhur nga Greqia, për shkak të të gjitha pretendimeve që kemi paraqitur. Kërkesa jonë është shumë e qartë: derisa të provohet se këto zarfe janë dërguar nga zgjedhës shqiptarë, do të kërkojmë që ato të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Këto vota janë kundërshtuar në procesverbalet përkatëse nga numëruesit dhe komisionerët tanë. Edhe pse procesi i numërimit vijon deri në përfundimin e tij, komisionerët tanë kanë shënuar të gjitha kontestimet tona, përfshirë edhe kërkesën për mospërfshirjen e këtyre votave në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Të gjitha këto do të shqyrtohen në momentin kur dosja t’i paraqitet Komisionerit për shpalljen e rezultatit përfundimtar. Edhe një herë tjetër, në atë fazë do të kemi mundësinë të paraqesim kërkesat dhe pretendimet tona, duke kërkuar që çdo zarf që nuk provohet në mënyrë të pakundërshtueshme si i ardhur nga një zgjedhës shqiptar, të mos përfshihet në rezultatin përfundimtar.
Ne nuk kemi hequr dorë nga beteja jonë për të mbrojtur vullnetin e votuesve shqiptarë në Greqi, duke kërkuar që ai të mos jetë vullnet i patronazhistëve, por i vetë zgjedhësve shqiptarë. Vullneti i tyre do të njihet, vlerësohet dhe numërohet”, u shpreh Marash Logu.
246 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit u regjistruan në sistemin online të KQZ për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por nga këta, 194 mijë emigrantë shprehën verdiktin e tyre duke kthyer në KQZ zarfin me votën.