Edhe në përpjekjen e shtatëmbëdhjetë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa seanca e sotme nisi me një minutë heshtje në nderit të veprimtarit të zhdukur, Ukshin Hoti.
Pastaj, kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista serbe emrat për komisionin, gjë që u refuzua nga këto subjekte politike, e më pas u hedh në votim ky komision i cili do të mundësonte votimin e fshehtë.
Komisioni mori 53 për, një kundër dhe në mungesë të kuorumit, seanca vazhdon të hënën nga ora 10:30.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në tentimet e tyre paraprake dështuan formimin e një komisioni për votimin e fshehtë të ish-ministres Albulena Haxhiu në krye të Kuvendit, pas gjashtë dështimeve që ajo të zgjidhet në këtë postë në votim të hapur.
LDK është deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë të propozuar nga LVV, ndërkohë, për PDK-në dhe AAK-në, Albulena Haxhiu nuk është propozimi i duhur për kryetare të Kuvendit për shkak të akuzave dhe veprimeve të saja në të kaluarën.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka marrë edhe nënshkrimet nga partitë tjera LDK dhe PDK, ka dorëzuar të hënën e kaluar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, ndryshimin e votimit nga i hapur në mënyrën e fshehtë të votimit që po e kërkon partia e Albin Kurtit në Kuvend.
Një takim i krerëve të partive shumicë në Kuvend me presidenten Vjosa Osmani këtë javë ka përfunduar pa rezultate konkrete për dalje nga ngërçi politik në vend.