Donjeta Sadiku, një nga emrat më premtues të boksit kosovar, është kualifikuar në gjysmëfinalen e turneut ndërkombëtar të boksit “Felix Stamm”, që po zhvillohet në kryeqytetin polak, pasi mposhti me dominim të plotë vendasen Aleksandra Jankowiak në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Sadiku siguroi fitoren me rezultatin unanim 5–0 të martën mbrëma, në një përballje ku imponoi ritmin dhe kontrollin nga fillimi në fund. Sipas Federatës së Boksit të Kosovës, ajo tregoi një paraqitje të jashtëzakonshme taktike dhe teknike, duke goditur me saktësi dhe duke detyruar kundërshtaren të mbrohej në pjesën më të madhe të meçit.
Fitorja e dërgon Sadikun në gjysmëfinale, ku do të përballet me italianen Rebecca Nicoli, një tjetër boksierë me përvojë ndërkombëtare, në një duel që pritet me interes të lartë.
Ndërkohë, Shpetim Bajoku, një tjetër përfaqësues i Kosovës në turne, u eliminua në një përballje të ngushtë ndaj uzbekut Gofurjon Tokhirov. Sipas Federatës, pavarësisht një performance të fortë dhe përkushtimi të dukshëm nga ana e Bajokut, gjyqtarët i dhanë fitoren boksierit nga Uzbekistani.
Turneu “Felix Stamm” është një nga kompeticionet më të rëndësishme në kalendarin ndërkombëtar të boksit amator dhe shërben si platformë për boksierët që synojnë arenat më të mëdha botërore.