Me lëvizje të fuqishme, veshje me ngjyra të ndezura dhe një energji që mbushi skenën përtej kufijve të gjeografisë, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” solli zërin e Kosovës në qendër të Evropës këtë javë. Në kuadër të Javës Evropiane të Kulturës, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, Republika e Kosovës mori pjesë zyrtarisht në këtë festival të rëndësishëm ndërkombëtar — dhe e bëri këtë me një deklaratë të fuqishme artistike.
Salla e mbushur me publik gjerman, ndërkombëtarë dhe shqiptarë nga të gjitha landet e Gjermanisë, përjetoi një performancë që më shumë se një akt artistik, u ndje si një akt identiteti. Brenda programit “Europe Sounds – Muzika bashkon Evropën në Chemnitz”, Kosova ndau të njëjtën skenë me vende si Gjermania, Spanja, Franca, Portugalia, Rumania, Belgjika, Sllovenia dhe Armenia — duke u pozicionuar jo vetëm si pjesëmarrëse, por si kontribuese aktive në mozaikun e trashëgimisë kulturore evropiane.
“Shota” solli me vete më shumë se vetëm valle tradicionale. Ishte shpirti i një kombi të vogël me një kulturë të madhe ai që foli në gjuhën universale të muzikës dhe lëvizjes. Në një kontinent që ende përpiqet të kuptojë kompleksitetin e Ballkanit, kjo performancë u përjetua si një hap drejt afrisë kulturore dhe mirënjohjes së diversitetit, përtej kufijve politikë apo historikë.
Për Kosovën, pjesëmarrja në këtë skenë nuk ishte thjesht një ftesë artistike, por një akte diplomacie kulturore me ndikim të thellë. Në mungesë të shumë mundësive në skenën ndërkombëtare për shkak të statusit të saj diplomatik ende të diskutueshëm në disa shtete, kultura mbetet një prej kanaleve më të fuqishme për afirmim dhe njohje.
Në Chemnitz, një qytet që vetë është në transformim nga periferia në qendër të dialogut kulturor evropian, Kosova foli përmes artit — dhe u dëgjua.
Në ritmet e një vale shqipe, Evropa mund të ketë dëgjuar për herë të parë një zë të vjetër. Dhe ky zë — siç ndodh shpesh me artin — nuk kërkoi leje për të hyrë: ai u ndje, u duartrokit dhe mbeti në kujtesë.