Një letër e hapur, e sinqertë dhe rrënqethëse, e dërguar nga ish-këshilltari holandez i Ministrisë së Drejtësisë, Ton Daans, ka ekspozuar me forcë dramatike dështimet sistematike të sistemit shëndetësor shqiptar.
Por pas rrëfimit të tij prekës, fshihet një krizë më e thellë: ajo e lidershipit të dobët dhe e menaxhimit të paaftë të burimeve njerëzore në institucionet publike të Shqipërisë. Kur mungon lidershipi, vuajnë qytetarët.

Letra e z. Daans nuk është thjesht një dëshmi personale. Ajo është një pasqyrë ku çdo qytetar shqiptar mund të shohë veten dhe përvojën e tij me institucionet publike. Ajo shtron një pyetje të qartë dhe tronditëse: A mund të quhet një shtet i civilizuar ai që nuk garanton kujdes shëndetësor bazik për qytetarët e vet? Në çdo rresht të kësaj letre ndihen pasojat e një mungese totale të lidershipit vizionar dhe të një kulture përgjegjësie në sektorin publik. Rënia e sistemit shëndetësor shqiptar nuk ndodhi brenda natës. Ajo është ndërtuar në vite nga një kombinim shkatërrues i emërimeve klienteliste, mungesës së transparencës, mungesës së investimeve në staf dhe teknologji, dhe një indiference të frikshme ndaj cilësisë së shërbimeve.
Keqmenaxhimi i burimeve njerëzore: Zemra e problemit
Në analizën e z. Daans, bie në sy një shqetësim i thellë për mënyrën se si funksionon – ose më saktë nuk funksionon – organizimi i punës në spital. Mjekë dhe infermierë të pamotivuar, pa mjete pune, pa koordinim, me mungesë të theksuar trajnimi dhe komunikimi. Ky është një alarm i qartë për çdo menaxher që ka studiuar sadopak menaxhimin e burimeve njerëzore: mungesa e trajnimit, e mbikëqyrjes, e motivimit dhe e vlerësimit të stafit shëndetësor ka pasoja të drejtpërdrejta mbi jetën e pacientëve. Në çdo spital modern, roli i një departamenti efektiv të burimeve njerëzore është jetik për garantimin e cilësisë së shërbimit. HR (Burimet njerëzore) duhet të sigurojë që çdo anëtar i stafit të jetë i trajnuar, i motivuar dhe i vlerësuar. Ai duhet të monitorojë performancën, të ndjekë procedurat disiplinore kur është e nevojshme dhe të krijojë një kulturë profesionale dhe etike në vendin e punës. Në rastin shqiptar, siç u përshkrua nga z. Daans, asgjë nga këto nuk ekziston në praktikë. Pasojat: Diagnostikim i gabuar, kushte çnjerëzore dhe rrezik për jetën Nga mungesa e ujit dhe çarçafëve, deri te pajisjet e viteve ’60 dhe diagnozat e gabuara, çdo element i përvojës së tij pasqyron një sistem që ka dështuar në misionin e tij themelor – të mbrojë jetën e njeriut.
Në vend të një strukture që i jep pacientit siguri dhe kujdes, ai përjetoi një sistem të çoroditur, pa protokolle të qarta, pa mbikëqyrje dhe pa përgjegjësi. Por më shqetësuesi është mungesa e reflektimit institucional mbi gabimet. Në vend që të funksionojnë si një mekanizëm vetërregullues që mëson nga gabimet, këto institucione thjesht vazhdojnë rutinën, duke i ekspozuar qytetarët rrezikut të përditshëm. Në një shtet të drejtë dhe të qytetëruar, askush nuk duhet të vdesë kot. Lindita Semanjaku është eksperte në burimet njerëzore dhe zhvillimin e lidershipit. Si themeluese e kompanisë “Ti Mundesh,” ajo ofron trajnime dhe programe për zhvillimin e kapaciteteve individuale dhe për forcimin e lidershipit në organizata.