Një sfidë e rrezikshme e rrjeteve sociale ka marrë përmasa tragjike në Itali, ku Prokuroria e Trevisos ka kërkuar dërgimin për gjykim të Andrea Kovaçajt, një 20-vjeçari shqiptar me banim në Ormelle, i akuzuar për “vrasje rrugore” pas vdekjes së bashkëmoshatarit të tij, Lorenzo Pjetrushi.
Ngjarja ndodhi më 20 janar 2024 në një parking pranë fushave sportive të Cimadolmos, kur Pjetrushi, 19 vjeç dhe me origjinë shqiptare, u ngjit mbi kofanon e makinës së Kovaçajt — një gjest që, sipas autoriteteve, bënte pjesë në një sfidë të përhapur në TikTok, të njohur si “surfi mbi makinë”.
Sipas hetimeve të policisë në San Polo di Piave, Kovaçaj e nisi lëvizjen me një shpejtësi prej 15–20 kilometra në orë dhe, pasi përshkoi rreth 50 metra, ndaloi. Në atë moment, Pjetrushi rrëshqiti dhe ra në tokë, ku më pas u shtyp nga goma e përparme e automjetit. Ai mbeti i bllokuar poshtë makinës, ndërsa shokët e pranishëm në vendngjarje tentuan ta nxirrnin dhe t’i jepnin ndihmën e parë. I riu u dërgua me urgjencë në spitalin e Trevisos, ku ndërroi jetë nëntë ditë më vonë nga plagët e rënda.
Zv/prokurorja Barbara Sabattini e përshkroi veprimin e Kovaçajt si një neglizhencë e rëndë që përbën shkelje të qartë të normave të sigurisë rrugore dhe si një shembull shqetësues i ndikimit të kulturës dixhitale te të rinjtë. Ajo tha se drejtuesi i mjetit jo vetëm që nuk e ndaloi Pjetrushin të hipte mbi kofano, por e lejoi të qëndronte aty ndërkohë që makina ishte në lëvizje.
Familja e viktimës, në një deklaratë publike, ka theksuar se nuk është e interesuar për kompensime financiare, por kërkon vetëm të vërtetën dhe drejtësi. “Nuk duam para, duam drejtësi,” u shprehën prindërit e Pjetrushit.
Ngjarja ka shkaktuar debat të thellë në komunitetet shqiptare në Itali dhe më gjerë mbi ndikimin e sfidave virale dhe mungesën e edukimit mbi sigurinë. Ekspertë të sjelljes rinore kanë bërë thirrje për ndërhyrje më të forta institucionale dhe fushata ndërgjegjësimi, për të frenuar këto sjellje të rrezikshme që shpesh trajtohen si lojë.
Seanca për shqyrtimin paraprak të çështjes pritet të mbahet në javët e ardhshme në Gjykatën e Trevisos. Nëse shpallet fajtor, Andrea Kovaçaj mund të përballet me një dënim të rëndë sipas ligjeve italiane për vrasje rrugore me rrethana rënduese.