Një aksident tragjik i mori jetën 50-vjeçarit Artur Çela, me origjinë nga Tirana, por prej më shumë se dy dekadash banues në qytetin italian Concordia Sagittaria. Ngjarja ndodhi të premten mbrëma, rreth orës 20:30, kur Çela ishte nisur me motor për të marrë darkën nga një restorant pranë shtëpisë së tij – një distancë prej më pak se një kilometër. Por ai nuk u kthye më.
Kur pa që babai vononte, djali i tij i madh, Mariglen, e telefonoi. “Gjithçka në rregull, po vij”, ishte përgjigjja e fundit e Arturit. Pas kësaj, telefoni nuk u përgjigj më. Lokalizimi i celularit tregonte një pikë të palëvizshme në Via Claudia, vetëm 300 metra larg kishës së qytetit. Familjarët shkuan aty dhe e gjetën Arturin të shtrirë në tokë, pranë tij ndodheshin ambulanca, zjarrfikësit dhe karabinierët.
Artur Çela humbi jetën pas përplasjes fatale të motorit të tij me një Fiat 500 të drejtuar nga një i ri vendas. Edhe pse mbante kaskë mbrojtëse, trauma kraniale që pësoi ishte fatale. Sipas hetimeve paraprake, dy automjete të tjera kishin ngadalësuar për të lejuar Fiat-in të futej në rrugë, kur në atë moment mbërriti motori i drejtuar nga Çela, i cili u përplas me mjetin dhe më pas u përplas fort në një shtyllë anësore.
Artur Çela kishte ardhur në Itali në vitin 2000, ku punonte si punëtor ndërtimi në kompaninë Zoppelletto të Gruaro-s. I njohur si njeri i ndershëm, punëtor dhe familjar, ai kishte ndërtuar jetën e tij në Concordia së bashku me gruan dhe dy fëmijët.
Lajmi tronditi jo vetëm familjen, por edhe gjithë komunitetin. Kryetari i bashkisë së Concordia Sagittaria, Claudio Odorico, dhe ai i Portogruaro-s, Luigi Toffolo, shprehën ngushëllimet më të thella për familjen Cela, duke e cilësuar humbjen si një dhimbje të madhe për gjithë qytetin. Ky është aksidenti i dytë fatal në më pak se 15 ditë në zonë, pas vdekjes së një tjetër 51-vjeçari në një aksident me makinë më 19 prill.
Një jetë e ndërprerë papritur, një familje e shkatërruar dhe një komunitet në zi për një njeri që la gjurmë të mira në çdo hap të jetës së tij.



