Trieste–një qytet plot histori, aromë deti dhe ndikime të shumta kulturore – ruan sot një thesare të vogël që frymon edhe me shpirtin shqiptar.
Ishte mbrëmja e 1 Majit pas një dite të bukur me miqtë e mi Elonia Dushi dhe bashkëshortin e saj Markon, duke shëtitur në “via di Cavana”, biseda, buzëqeshjet dhe energjia e mirë e tyre na kishin mbushur zemrën.. Në mbrëmje, gjatë një shëtitjeje të qetë në rrugicat plot jetë të qytetit, përfunduam në “via di Cavana” – një rrugë me atmosferë të veçantë, ku çdo hap të thërret të ndalesh. Pikërisht aty, Elona më ndal dhe më thotë me një buzëqeshje plot krenari: “Këtu është biznesi i një djali nga Durrësi.”
Kureshtja na shtyu të futemi në një bistro të vogël, elegante dhe plot shije – quhej “SET – Sapori Eccellenti del Territorio”.
Aty, pas banakut, me një buzëqeshje që të thërriste si mik i vjetër, qëndronte Ervin Rama. “Mirëseerdhët!”, na tha në dialektin tonë durrsak, me një melodi të lehtë italiane që e bënte akoma më të ëmbël. Nga një përshëndetje e thjeshtë, u gjetëm pas pak minutash në një bisedë plot kujtime, shije dhe mall për Durrësin tonë.
Kështu zbuluam “Sapori Eccellenti del Territorio” (SET), një bistro e rafinuar dhe dyqan që ofron produkte të zgjedhura italiane te rajonit– djathëra artizanalë, proshuta, vajra ulliri dhe verëra të përzgjedhura. Me buzëqeshje Ervin Rama, në ato çaste u bashkua dhe i ati, Ismet Rama – një emër i njohur për dashamirësit e futbollit durrsak, ish-lojtar i qytetit. Bashkë, atë e bir, krijojnë një atmosferë që të bën të ndihesh pjesë e familjes dhe mikpritja tipike shqiptare u kthye menjëherë në bisedë për Durrësin, njerëzit tanë, kujtimet, të cilët nuk na lanë të iknim pa provuar një gotë prosecco e produkte rajonale të zgjedhura me dashuri dhe mjeshtëri.
Në të njëjtën rruge është restorant i tij “Radici”.
“Radici” – që në vetvete do të thotë “rrënjë” – është vendi ku pasioni për kuzhinën takon traditën, ku recetat italiane frymëzohen nga kujtimet e fëmijërisë dhe mikpritja shqiptare është gjithmonë e pranishme. Ambienti i ngrohtë, kuzhina e rafinuar dhe shërbimi i përzemërt e kanë bërë “Radici”-n një prej vendeve më të preferuara në qytet.
Ervin Rama, i lindur në Durrës, mbërriti në Trieste si 12-vjeçar në fund të viteve ’90. Me një rrugëtim që nisi si emigrant i ri, ai u rrit mes dy kulturave, studioi, punoi dhe guxoi të ndërtojë ëndrrën e tij me themel në mikpritje dhe dashuri për cilësinë.
Sot, ai jo vetëm që drejton biznesin e tij, dy nga lokalet më të njohura të qytetit, por është edhe shembulli i një shqiptari që e përfaqëson vendin me dinjitet, stil dhe zemër të madhe.
Histori si ajo e Ervinit janë të shumta në Itali. Janë shqiptarët që u rritën mes sfidash, por me përkushtim e talent ndërtuan jetë të reja, krijuan biznese, kontribuan në komunitet dhe na mbushin me krenari. Ata janë urat më të forta që lidhin Shqipërinë me botën.
Në fund të asaj mbrëmjeje në “via di Cavana”, nuk mora vetëm një kujtim të bukur – mora me vete ndjesinë e respektit dhe mirënjohjen pafund, se Durrësi jeton në zemrën e Triestes. Dhe se shpirti i shqiptarit, kudo që shkon, forcon rrënjë, lulëzon dhe shpërndan ngrohtësi.
Raste si të Ervinit janë të shumta në Itali kudo në Europë – shqiptarë që kanë ndërtuar jetë të suksesshme, kanë sjellë krenari për vendlindjen dhe janë kthyer në ambasadorë të heshtur të Shqipërisë nëpër botë. Ata janë modeli që duhet të njohim, të promovojmë dhe të përfshijmë në zhvillimin e Shqipërisë.
Në çdo rrugë të botës ku frymon një shqiptar me pasion e dinjitet, atdheu është më afër. Dhe Trieste, falë Elonia dhe Ervin Ramës dhe familjes së tij, ka një copëz Durrësi që pret me zemër të hapur.
Krenare për bashkatdhetarët e mi.