Policia italiane ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë 25-vjeçarë, të dyshuar për trafik droge, pasi u kapën në hyrje të qytetit të Pesaro-s me 102 gramë kokainë të fshehur në portën e makinës, në anën e shoferit. Arrestimi ndodhi të hënën, gjatë një kontrolli të zhvilluar nga agjentët e skuadrës mobile. Sipas autoriteteve, sasia e sekuestruar e kokainës kishte një vlerë tregu prej afro 10 mijë eurosh.
Hetimet çuan më pas policinë në një bed & breakfast në periferi të qytetit, ku të rinjtë ishin strehuar prej rreth një muaji. Gjatë kontrollit në dhomën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan mjete për ndarjen e drogës në doza, mbi 2.100 euro cash, një tjetër dozë kokaine si dhe rreth 3 gramë hashash. Të dy të rinjtë janë ndaluar dhe dërguar në burgun e Villa Fastiggi, në pritje të verifikimit nga gjykata.
Pas seancës, njëri prej të rinjve u vu në masë sigurie me detyrim qëndrimi në qytetin e Pizës, ndërsa tjetrit iu ndalua qëndrimi në rajonet Marche dhe Emilia-Romagna.
Ndërkohë, të enjten e kaluar, policia arrestoi edhe një shpërndarës italian 53-vjeçar, i njohur për precedentët penalë, i cili më herët kishte drejtuar një bar në qendër të qytetit. Ai u pikas në Villa San Martino, përpara një lokali, duke shkëmbyer lëndë narkotike me një përdorues të njohur nga autoritetet.
Gjatë kontrollit ndaj tij, u gjetën 3 gramë kokainë në mëngët e bluzës, 5 doza të tjera dhe 400 euro. Në shtëpinë e tij, policia zbuloi sasi të vogla hashashi, kërpudha halucinogjene, rreth 9 gramë të tjera kokainë të fshehura nën dollap, materiale për paketim dhe peshore.
Gjithashtu, iu konfiskua dhe motoçikleta, pasi kishte manipuluar targën duke e ndryshuar me ngjitje shiritash të zinj. Ai u dënua me 1 vit e 5 muaj burg pas konstatimit të fakteve nga gjykata. Më herët, në tetor të vitit të kaluar, ai ishte arrestuar me mbi 200 gramë marijuanë dhe substanca të tjera narkotike, për çka kishte marrë një dënim prej 9 muajsh, i konvertuar në punë me interes publik.



