Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të mërkurën se konstituimi i Kuvendit duhet të jetë prioriteti i parë institucional pas zgjedhjeve, përpara se të hapet rruga për formimin e qeverisë së re.
“Një herë Kuvendi, mandej qeveria”, u shpreh ai para gazetarëve gjatë një vizite në komunën e Istogut, ku mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për një kompleks të ri banimi të përballueshëm dhe social.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.
Kurti theksoi se ky projekt është pjesë e agjendës së qeverisë për garantimin e së drejtës për banim, bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes, mos-segregimit dhe diversitetit.
“Banimi është e drejtë themelore e njeriut. Për jetesë nevojitet banesë”, u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e këtij investimi për shtresat në nevojë.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, kompleksi i ri do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9,120 m² dhe do të përfshijë gjithsej 65 njësi banimi – 52 për banim të përballueshëm dhe 13 për banim social. Investimi kap vlerën e 4.9 milionë eurove, ndërsa përfundimi i punimeve parashikohet brenda tri viteve.
Projekti përfshin katër tipe banesash, me sipërfaqe që variojnë nga 53 m² deri në 87 m², ndërkohë që është pjesë e një nisme të gjerë qeveritare që përfshin pesë komuna të Kosovës, nga gjithsej 13 që aplikuan pas thirrjes së hapur nga ministria përkatëse në janar 2024.
Ky zhvillim vjen në një moment kyç politik për vendin, ndërsa mbetet në pritje konstituimi i Kuvendit dhe formimi i institucioneve të reja.



