Banorët e fshatrave të Tropojës dhe Hasit, në zonën e pikës kufitare të Qafë Prushit, kanë protestuar sërish për gjendjen e mjerueshme të rrugës që lidh këto zona me Kosovën. Aksi rrugor Kam–Qafë Prush është kthyer në një makth për mijëra banorë, sidomos gjatë dimrit kur bëhet tërësisht i pakalueshëm.
Protestuesit, kryesisht nga fshatrat Zogaj, Kepenek dhe Kam, u mblodhën para bashkisë së Tropojës për të ngritur zërin mbi atë që e konsiderojnë “braktisje totale” nga shteti. Rruga, me një gjatësi prej pak më shumë se 25 kilometrash, nuk ka njohur asnjë investim që prej ndërtimit të saj gjatë pushtimit italian.
Sipas banorëve, ky është i vetmi aks pa asnjë ndërhyrje infrastrukturore në të dy bashkitë, Tropojë dhe Has, duke i izoluar ata nga zonat përreth, përfshirë edhe qendrat si Bajram Currin dhe Krumën. Ata kërkojnë me ngulm ndërhyrjen e shtetit për të ndalur izolimin dhe për të garantuar të drejtën e lëvizjes.
Në shenjë proteste, banorët bllokuan simbolikisht rrugën që lidh doganën e Qafë Prushit me Hasin, duke paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të ndërmarrin forma të tjera proteste, përfshirë edhe bojkotin e zgjedhjeve të 11 majit.
Zona është e njohur për pasuritë e saj natyrore, veçanërisht kromin, që sipas protestuesve është shfrytëzuar prej vitit 1939 dhe ka sjellë miliarda dollarë për shtetin shqiptar, por vetë banorët jetojnë në kushtet më të vështira.
“Na kanë marrë kromin, na kanë lënë baltën,” shprehen disa nga protestuesit, që janë të vendosur të mos ndalen pas zgjedhjeve, duke paralajmëruar bllokimin e akseve rrugore nëse nuk dëgjohen.